Fillesa e doktrinës Trump

23.01.2017 15:11:31

Nga Blendi Lami*

Ende president i zgjedhur, pak ditë përpara se të zëvendësonte Obamën, në një intervistë për “Times”, z. Trump, në mënyrën e vet unike, përçoi  disa nga qëndrimet e tij në lidhje me politikën e jashtme të ardhshme amerikane, duke sendëzuar atë që nga shumë analistë quhet fillesa e doktrinës Trump.  Sipas fjalëve të Trump-it, pikat kryesore të deklaruara në këtë intervistë ishin:

  • Dalja e Britanisë së Madhe do të rezultojë një arritje madhështore.
  • Bashkimi Europian do të shpërbëhet; BE do të vijojë fragmentimin, nëse nuk reagohet ndaj fluksit të emigrantëve, gjë që kërcënon identitetin e shteteve europiane.
  • NATO është një organizatë që i ka ikur koha; pavarësisht se SHBA mbetet e angazhuar në mbrojtjen e Perëndimit, NATO nuk është aq e reformuar sa të përballojë kërcënimin e rrezikut islamik.
  • Kancelarja Merkel ka bërë gabim katastrofik, ndërsa ka lejuar fluksin e emigrantëve në Gjermani.
  • Do të rishqyrtohen sanksionet me Rusinë, nëse Putini nuk do të konfrontohet; ndërkohë, marrëdhënia me Rusinë konsiderohet përfituese për të dyja palët.
  • Presidenti Obama e ka keqmenaxhuar konfliktin në Siri, duke lejuar Rusinë që të marrë kontrollin në Lindjen e Mesme.

Këto janë vetëm disa nga pikat ku do të mbështetet politika e jashtme amerikane. Këto gërshetohen me elemente të tjera si, disa nga sloganet polemizuese të fushatës, mënyra se si Trump ka bërë diplomaci (kryesisht nëpërmjet platformës Twitter) apo emërime të milionerëve, të cilët janë më shumë menaxherë sesa politikanë. Më tej, në këtë kuadër, Kissinger deklaroi dhjetorin e kaluar se “një president duhet të ketë disa bindje thelbësore”. Pra, këtyre politikave duhet t’u “vishet” edhe personaliteti i një individi – aspak të zakonshëm –  si Trump.

Në një studim të Stratfor-it ekzaminohen disa nga karakteristikat e Trump-it. Së pari, ai ka mendjemprehtësi për biznes dhe instinkt “vrasës” në menaxhim. P.sh.: me emërimin e administratorit të ExxonMobil, Rex Tillerson, si sekretar shteti, Trump e ka demonstruar besimin se arritja e marrëveshjeve të vështira përbën sekretin e drejtimit të një vendi që udhëheq sistemin ndërkombëtar. Së dyti, Trump nuk i frikësohet nacionalizmit – përkundrazi e sheh si rrugë natyrore dhe të drejtë për çdo shtet, një rrugë që duhet të ndiqet për mbrojtjen e interesave kombëtarë. Së treti, kryesisht mes deklaratave të ashpra në Twitter, Trump ka krijuar idenë se SHBA po humb në konkurrencën globale, dhe për këtë fajëson politikën e jashtme internacionaliste. Së katërti, Trump me sa duket beson se politika e jashtme e SHBA është bërë shumë e parashikueshme dhe karakterizohet nga formaliteti diplomatik.

Nga këto këndvështrime, rezulton se SHBA do të përfshihet në një realpolitikë të pastër dhe do të veprojë në politikën e jashtme vetëm kur i preken drejtpërdrejt interesat. Por a mund të thuhet se politika e Obamës nuk ishte realiste? Obama ndërmori misionin për të ribalancuar SHBA-në pas luftërave në botën islamike. Ai doli kundër angazhimeve ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme jo vetëm sepse ishte premtim elektoral, por i druhej faktit se SHBA do të përfshihej sërish në konfliktet sektare në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, ai u bëri presion edhe aleatëve të ngushtë të SHBA-së për të paguar hisen e tyre në angazhimet e sigurisë. Në këtë mënyrë, Obama ndërtoi një politikë të jashtme të përmbajtjes ekstreme, por, ndryshe nga Trump, ai besonte tek institucionet ndërkombëtare dhe – për rrjedhojë – te siguria kolektive.

Sipas Stratfor-it, thelbi i doktrinës Trump fokusohet te “nacionalizmi dhe një tendencë dritëshkurtër në vlerësimin e kërcënimeve”. Vendimi i tij për zhvendosjen e kompanive  amerikane dëmton partnerët e tregtisë së jashtme, në vend që të përshtatë fuqinë punëtore me ndryshimet demografike dhe teknologjike. Çështjet e klimës do të jenë dytësore, pasi parësor do të jetë biznesi. Në vend që të luajë një rol të përmbajtur globalist, presidenti i ardhshëm do të respektojë të drejtat e vendeve për të mbrojtur veten, pavarësisht nga pasojat afatgjata të minimit të masave e sigurisë kolektive. Duke mbajtur anën e Izraelit, do të rrezikohet edhe më tej ekuilibri i forcave në Lindjen e Mesme, teksa Turqia vazhdon konsolidimin e saj dhe vijojnë luftërat civile në rajon. Dhe SHBA nuk do të lejojë që Kina të ketë paritet me SHBA-në në diplomacinë ekonomike.

Në këtë spektër, ndryshimi më i madh ndërmjet politikës së jashtme të Obamës dhe Trump-it ka të bëjë me një cilësi të veçantë të këtij të fundit:  të qenit i paparashikueshëm. Duket se formatimi i politikës së jashtme do të bazohet më shumë në instinktin e liderit se sa në strategjinë e madhe (të paktën kështu është vijuar deri më tani – diçka e paprecedentë). Me këtë perspektivë, si aleatët ashtu edhe rivalët e SHBA-së do të jenë vazhdimisht të alarmuar dhe do të ndryshojnë strategjitë e tyre afatgjata, për të shmangur përplasjen me superfuqinë botërore.

Megjithatë, pavarësisht se kush bëhet president amerikan, themeli i fortë gjeopolitik që gëzon Shtetet të Bashkuara – e mbrojtur nga dy oqeane dhe me një flotë që kontrollon botën – i krijon mundësi si për izolacionizëm ashtu edhe për angazhim. George Kennan, autori i “Telegramit të gjatë”, me anë të të cilit u përcaktua politika amerikane pas Luftës së Dytë, e ka parashikuar më së miri fuqinë amerikane:

“. . . demokracia amerikane është si përbindëshat parahistorikë me një trup sa një dhomë dhe një tru sa një kokë gjilpëre; ai jeton mes baltës së tij të rehatshme dhe i kushton pak vëmendje mjedisit të tij . . . është i ngadalshëm teksa e kaplon zemërimi – në fakt, duhet ta ndukësh mirë e mirë për t’ia bërë të ditur se po i preken interesat. Me ta kuptuar këtë, me vendosmëri të verbër, ai e dërrmon kundërshtarin . . .” 

Ky pushtet i patjetërsueshëm amerikan duhet lidhur edhe me Shqipërinë tonë të vogël, pasi kjo “vashë” duhet të vazhdojë ta ketë mirë me “përbindëshin”. Duke qenë se nuk është në gjendje të hartojë një strategji parandaluese apo reaguese, qeveria e Shqipërisë ka mision jetik të harmonizohet me politikat e administratës amerikane. Janë dy skenarë që ndodhin shpeshherë me Shqipërinë në momente vendimtare. Superfuqia do të vazhdojë të ketë të njëjtin interes për Shqipërinë dhe në këtë rast kjo e fundit do të ndjekë vijën amerikane – ndonëse me sforcime. Por, në skenarin e dytë, nëse SHBA humbet interes për rajonin, qeveria jonë – në të mirë të kombit shqiptar që përfaqëson – duhet të sinkronizohet sa më shumë me politikën amerikane.