Filloreta Paluca nuk pranon të kthehet në Kosovë, hidhet në ilegalitet në Austri

02.05.2017 20:50:38

Filloreta Paluca, shqiptarja 16 vjeçe nga Kosova, kërkesa e të cilës për azil në Austri i është hedhur poshtë me kohë, duhej të riatdhesohej më 15 maj në Kosovë. Një familje austriake kishte vendosur ta adoptonte Filloretën, por as kjo nuk ka mundur të ndalonte dëbimin, sepse vendimi për dëbim ishte marrë para se të bëhej kërkesa për adoptim.

Rasti i Filloretës ka preokupuar mediat austriake gjatë javës së kaluar, kur ajo qe bartur nga vendi ku jetonte (Timelkam) në Wocklabrug. Pastaj ajo duhej të shkonte në Vjenë dhe atje të strehohej në një qendër strehimi derisa të vinte koha për riatdhesim. Por, siç shkruajnë mediat austriake, ajo nuk ka arritur fare në Vjenë.

Një polic përgjegjës për rastin ka thënë per mediat se ende nuk e kanë parë vajzën e re. Këtë e vërteton edhe Thomas Eder nga Timelkam, i cili së bashku me gruan, kishte vendosur ta adoptonte 16 vjeçaren dhe ende vazhdon angazhimin për këtë, transmeton albinfo.ch.

Kur kishin dashur ta vizitonin në Vjenë, u ishte thënë se ajo nuk ndodhej aty. Pastaj ajo në mënyrë të ndërmjetme u ishte paraqitur atyre por pa treguar vendin ku ndodhej. Ajo vetëm i kishte siguruar se ishte mirë me shëndet.

Filloreta, ashtu sikurse shqiptarja tjetër nga Kosova para rreth 10 vitesh, (Arigona Zogaj) është “zhdukur” ose ka kaluar në ilegalitet