Firma private lë pa energji 30 fshatra në Tiranë

18.12.2016 14:05:25

Kabulli i 35kV i linjës L30-1 Kinostudio-Lanabregas është dëmtuar sot paradite (18 dhjetor) nga një kompani private.

Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë bëhet fjalë për firmën private B93, e cila po punonte për llogari të ujësjellësit, pranë Fizikës Bërthamore, duke nxjerrë jashtë pune dy N/stacionet, Lanabregasin dhe atë të Qafë-Mollës.

“Si pasojë e këtij dëmtimi mbetën pa energji për rreth 3 orë rreth 40 mijë banorë të 30 fshatrave te Tiranës, si Lanabregas, Bregas, Linzë, Linzë Deli, Surrel, Priskë, Fushë Farkë, etj, Antenat e televizioneve ne Dajt, Vilat Qeveritare në Dajt, etj, si dhe subjekte të private (Teleferiku, etj)”, thuhet në reagim.

Kryenxhinieri i Drejtorisë së Tensionit të Lartë për Tiranën, Egert Mema tha për mediat se pas konstatimit të dëmit, OSHEE ka thirrur policinë, për hetimin e ngjarjes dhe mbledhjen e provave.

“Ky është rasti i 15 për muajin dhjetor vetëm në Tiranë, pra mesatarisht çdo ditë nga një dëmtim. Kompania ka punuar jashtë rregullave të kushteve teknike, pa marrë azhornimet dhe kodet e rrjetit nga OSHEE. Abonentët po marrin energji nga linjat e tjera unazore”, nënvizoi kryeinxhinieri.