Fitore Rubovci:Treni serb dhe fabula e Ezopit

18.01.2017 13:17:32

14 janari ishte një ditë që nuk do të duhej të ishte e tillë sikurse që u bë. Në shikim të parë, duket gjithçka tepër triviale: një tren me pasagjerë të bëhet shkak për tensionim midis dy shtetesh dhe për kërcënime deri në përdorim të ushtrisë! Unë nuk jam politikane e as merrem me politikë, jam artiste. Me profesion jam dramaturge dhe regjisore.

Shikuar nga aspekti dramaturgjik, skenari i Beogradit për nisjen e trenit ishte një skenar shumë i lodhtë. Kurse sa i përket aspektit regjisorial, ishte një regji tepër diletante, që edhe një amator do ta bënte më mirë. Po të ishte në jetë Miguel Servantesi, do të akuzonte Nikoliqin dhe Vuçiqin për plagjiaturë, madje për një plagjiaturë deformuese: sepse Don Kishoti ishte i prirur nga ndjenja fisnike, për ato të mira që po i humbte shoqëria, kurse treni donkishotian ishte i mveshur me parulla të urrejtjes, me një gjuhë mesjetare dhe luftënxitëse. E megjithatë, në ditën kur po kujtohej masakra e Reçakut e vitit 1999, Beogradi e nisi një estradë parodie të shovinizmit kundrejt Kosovës.

Një tren i mbushur me ikona nacionaliste e religjioze, një simbiozë tipike e urrejtjes serbomadhe. Mbi të gjitha, një parullë e kobshme: “Kosova është Serbi”, e shkruar në 24 gjuhë të ndryshme të botës, e edhe në shqip. Pastaj, nga Vuçiq u tha se drejt Kosovës qe nisur një tren me udhëtar e jo tanket.

Në fakt, me parullat luftënxitëse, më kujtonte hyrjen e tankeve agresore në Kosovë në vitet 1998-1999. Më kujtonte fshatrat e djegura nëpër Drenicë, Dukagjin e gjithandej Kosovës. Më kujtonte kasaphanat që uniformat serbe i bënë në Likoshan, Obri, Prekazi, Lubeniq, Reçak e vende të tjera, ku qytetarë civilë, pleq, gra e fëmijë u masakruan. Më kujtoi kur gjyshi më mbante për dore teksa ecnim nga një fshat në tjetrin për t’iu shpëtuar agresorëve serbë, ato ditë që nga çasti në çast pritnim kur do të nga vinte radha, si cjapit te kasapi.

Jo, ky ishte tren, i cili i ngjante Kalit të Trojës: jo vetëm parullat luftënxitëse dhe të urrejtjes, por ai sillte edhe zhbërjen e shtetit të Kosovës, e me këtë kthimin pas në vitet 1998-1999: Nikoliq e Vuçiq duket se kanë mbetur dishepuj të verbër të gjakpirësit Slobodan Milosheviç.

Po, çka lidhet e tërë kjo me fabulën e Ezopit? Lidhet me fabulën e ujkut dhe të qengjit. Ndonëse ujku ishte lart e qengji poshtë dhe ujët rridhte nga lartë poshtë, ujku e akuzonte qengjin se po ia turbullonte ujin. Thua se Kosova e kishte nisur një tren të mveshur me parullën “Kosova është deri në Nish”! Vallë, nëse një tren i tillë nuk qenka provokim, përse nuk e nisi Beogradi një tren të ngjashëm për në Kroaci ku të shkruante “Kroacia është Serbi”? Apo, e kundërta: a do ta lejonte Beogradi të futej një tren nga Kroacia në të cilin do të ishte një parullë e ngjashme “Serbia është Kroaci”?

Liderët luftënxitës thanë se po qe se do të vritet ndonjë serb, ushtrinë do ta nisnin për në Kosovë. Një paralajmërim i komprometuar: ndoshta Beogradi po përgatit një “Panda” të dytë, për t’i akuzuar autoritet e Kosovës, si pretekst për ta nis një konflikt të ri ushtarak. Krejt në fund, ndjehem mirë dhe ndjehem krenare me shtetin tim që serbëve të Kosovës ju ofron liri dhe të drejta kushtetuese në frymën e humanizmit perëndimor, kurse Serbia nuk iu jep liri e të drejta të ngjashme shqiptarëve të Luginës së Preshevës.