Fjala e kryetarit Isa Mustafa në shënimin e 28 vjetorit të themelimit të LDK-së

23.12.2017 19:26:02

Të nderuar anëtarë të Kuvendit, të Këshillit të Përgjithshëm, të Kryesisë, kryetarë të forumeve dhe kryetarë të degëve të LDK-së,

  • Të nderuar, deputetë, kryetarë të komunave, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
  • Të nderuar familjarë të familjes së Presidentit Rugova, të prof. Fehmi Agani dhe të gjithë veprimtarëve të LDK-së që sot nuk janë me ne; familjarë të dëshmorëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së,
  • Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, të jetës shkencore, arsimore e kulturore, përfaqësues të mediave,
  • Zonja dhe zotërinj,

Sivjet 28 vjetorin e themelimit Lidhjes tonë, Lidhjes Demokratike të Kosovës po e shënojmë si parti e parë e konfirmuar në zgjedhjet lokale të 22 Tetorit të këtij viti.

Jemi partia e parë me  vota për kryetarë të komunave. Jemi parti e parë me vota popullore për kuvende komunale.

Për kryetar të komunave arritëm 229,000 vota;  jemi me 65,000 vota para PDK-së dhe 80 mijë vota para vetëvendosjes; Për asamble komunale kemi fituar 182,000 vota; 14,500 vota para PDK-së dhe 63,000 vota para Lëvizjes Vetëvendosje. Kemi fituar numrin më të madh të komunave nga partitë shqiptare.

Të dashur bashkëveprimtarë,

Është kjo votë e besimit të qytetarëve në vlerat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. E besimit në njerëzit e bashkuar në këtë lidhje të madhe me Kosovën dhe me çdo qytetar të saj.

Fitorja jonë është konfirmim i vlerave tona. Vlerave demokratike. Vlerave shtetndërtuese; vlerave qytetare dhe etike që kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë si subjekt i parë pluralist në Kosovë dhe në këtë pjesë të Ballkanit.

Dëshiroj sot të uroj kryetarët tanë të komunave që fituan në këto zgjedhje. Gazmend Muhaxherrin,  Agim Veliun, Lutfi, Hazirin Imri Ahmetin, Sokol Halitin,  Burim Berishën, Xhafer Tahirin e Haki Rugovën.  Por, të dashur pjesëmarrës, fitorja nuk është vetëm e atyre që dolën fitues. Është edhe e Selim Kryeziut në Dragash, e Arban Abrashit në Prishtinë, e Sali Asllanajt në Suharekë, e Muharrem Sfarçës; e kandidatëve tjerë që garuan për të drejtuar komunat; fitore e  degëve tona, veprimtarëve, njerëzve të të gjitha moshave: grave dhe burrave, e shtabeve zgjedhore, e atyre që na mbështetën dhe na orientuan me vullnetin dhe sinqeritetin e tyre. Është fitore e qytetarëve të këtij vendi.

Është rezultat edhe e një fushate moderne,  të pasur dhe kreative në zgjedhjet nacionale të drejtuar nga Avdullah Hotit, që ishte kandidat i yni për kryeministër.  Prandaj dëshiroj që të uroj edhe zotin Hoti dhe deputetët e zgjedhur nga LDK në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Si parti e parë, kemi përgjegjësi të parë në këtë vend, pa marrë parasysh se jemi në opozitë. Është përgjegjësi e jonë të fuqizojmë zhvillimin demokratik të Kosovës; t’i japim këtij vendi drejtimin e duhur properëndimor dhe zhvillimin e nevojshëm ekonomik; ta çlirojmë nga prangat e kapjes së shtetit nga grupe dhe klane të ndryshme; ta drejtojmë vendin drejt zhvillimit dhe integrimit.

Shumë të nderuar dashamirë të LDK-së,  

E sotmja jonë, sikurse dhe e ardhmja bazohet fuqishëm në një histori jo të gjatë për njerëzimin por tepër të rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët.

Sot, u mbushën 28 vjet të veprimtarisë shumë të bujshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës; 28 vjet nga dita e kthesës sonë të madhe dhe historike në përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Lidhja Demokratike e Kosovës,  është themeluar më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët në krye me dr. Ibrahim Rugovën, i cili ka qenë kryetar i saj për të gjallë të tij. Kreu historik i LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, me politikën e urtë e vizionare, e bëri LDK-në forcën më të madhe të integrimeve shqiptare, çështjen e Kosovës e bëri çështje me interes evropian e amerikan dhe krijoi miq e aleatë kudo në botën demokratike.

 

Në kohën e represionit më të egër serb kundër popullit të Kosovës, LDK-ja organizoi rezistencën politike e qytetare, organizoi jetën sociale, politike e publike, duke promovuar lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, tolerancën e humanitetin, duke promovuar vlerat autentike e universale.

 

LDK-ja e promovoi Republikën e Kosovës si shoqëri e shtet të vlerave, me filozofi të integrimeve rajonale e euroatlantike, duke e rikthyer vendin në shtratin kulturor e politik të Perëndimit, si vend evropian.

LDK-ja ka dhënë e para kreun e shtetit të Kosovës, Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë.  Si parti shtetndërtuese e institucionale, LDK-ja ka organizuar shpalljen e Pavarësisë, aprovimin e Kushtetutës, Referendumin për Pavarësi, ka propozuar shenjat e shtetit të Kosovës, himnin, flamurin, ka nisur përfaqësimin diplomatik. Ka organizuar funksionimin  e të ashtuquajturit shtetit paralel në Kosovë, qeverisë në ekzil dhe ka mbajtur gjallë arsimin shqip në të gjitha nivelet gjatë kohës së okupimit dhe luftës.

LDK vazhdoi në kontinuitet të luajë një rol vendimtar në fuqizimin e shtetit të Kosovës edhe pas Rugovës. Në krye me Presidentin Fatmir Sejdiu, që pasoi të jetë kryetar i LDK-së, nga viti 2006,  Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe Gjykata ndërkombëtare njohu të drejtën e Kosovës për këtë akt madhor.

Në këto 28 vjet të rrugëtimit të saj, që është edhe rrugëtim i Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ditur t’i mposhtë pengesat e hendeqet që i janë vënë për ta penguar realizimin e vizionit për Kosovën shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Sepse, ky vizion është shndërruar në përcaktim të popullit të Kosovës. Sepse, me vullnetin, dijen dhe këmbënguljen unike ka arritur ta bindë botën se, si kompromis i shqiptarëve, pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë që garanton paqe e stabilitet në këtë pjesë të Evropës e të Botës.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij solemniteti,

Zonja dhe zotërinj,

 

Në këto 28 vjet, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shërbyer qytetarit të Kosovës, përmes fuqisë përfaqësuese që ia ka dhënë anëtarësia e saj besnike, simpatizantët e përkushtuar dhe votuesit e saj të nderuar. Lidershipi i Lidhjes Demokratike, gjithherë ka mbajtur kursin shtetformues e qendrës së djathtë dhe ka arritur të kapërcej sfida jo të lehta të ndërtimit demokratik të vendit.

Do t’u jemi përherë mirënjohës themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të flijuar për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

Pa dashur t’i veçoj në këtë rast, dua të përcjellë tek familjet e tyre dhe populli i Kosovës, ndjenjën e përuljes përpara jetës dhe veprës së të gjithë atyre që, në kohë e në rrethana të ndryshme, punuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj.

Veprimtaria e tyre në shërbim të atdheut njihet prej qytetarëve të Kosovës. Ne kemi borxh të bëjmë çfarë është e mundshme për t’i ndriçuar rrethanat e vrasjes së shumë prej tyre. Sepse ata ishin duke punuar me tërë qenien e tyre për interes të Kosovës dhe popullit të saj.

Drejtësia për ta është detyrim, jo vetëm ndaj familjeve të tyre e familjes sonë politike, por edhe ndaj të ardhmes së Kosovës. Kriminelët, qofshin doras, qofshin porositës dhe përkrahës të vrasjeve do të dalin para drejtësisë.

Të nderuar pjesëmarrës

LDK dëshmoi qartë dhe fuqishëm se është parti e cila di të drejton shtetin pa korrupsion; me programin më të mirë ekonomik, në drejtim të Bashkimit Evropian dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Brenda LDK-së kishte mjaftë skeptik dhe kritikues pse po qeverisim vendin me PDK-në. Opozita e bashkuar nga VV, AAK, Nisma na sulmoi dhe atakoi me gaz lotsjellës, me sprej, me gurë, me koktej molotovi, me tentime për atentate. Nuk i kursyen as familjet tona, por ne nuk u dorëzuam sepse motivet e tyre ishin të ulëta.

 

Ne punuam me përkushtim të pashoq për qeverisjen e mirë, për krijimin e parakushteve për zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe të ligjit. Dhe, për t’ia hequr Kosovës rrezikun e njollosjes së padrejtë nga elementet e radikalizmit dhe ekstremizmit.

Për fat të keq, në këtë rrugëtim ishim të vetëm. Por, kjo nuk na ligështoi. Përkundrazi. Ligësia që dëshmuan rivalët tanë politikë ndaj nesh dhe Kosovës, vetëm e ka forcuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sepse, bashkimi i të gjithëve kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarëve të Kosovës ua ka qartësuar plotësisht realitetin.

Dhe, në sytë e tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës, tash është zgjidhja e  vetme.

Për këtë ne po punojmë fort dhe kërkoj nga Ju që, ta shfrytëzojmë edhe këtë Ditëlindje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta forcuar unitetin tonë të brendshëm, për ta forcuar këtë bindje të qytetarëve të Kosovës dhe për ta përfaqësuar denjësisht këtë mision që ata na kanë ngarkuar.

Ne duhet të punojmë fort. Dhe duhet të punojmë bashkë. Duke respektuar mendimin e secilit, por duke shtyrë përpara vendimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nxirren përmes formave demokratike.

Fakti që Lidhjes Demokratike të Kosovës po i rikthehet shansi i mohuar padrejtësisht për të qenë partia më e pëlqyer, natyrisht nuk u përshtatet rivalëve tanë politik. Por, kjo nuk duhet të na pengojë ne. As të na lëkund.

Ne duhet të shtojmë përpjekjet tona për ta forcuar LIDHJEN tonë me qytetarët e Kosovës, të cilët meritojnë të udhëhiqen nga platforma programore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ne filluam projekte të rëndësishme për Kosovën,

nënshkruam Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, memorandumin për projektin e TC Kosova e Re, u shpallëm vend lider në Evropë në krijimin e kushteve të berit biznes, stabilizuam normën e rritjes ekonomike prej 4%,  stabilizuam buxhetin dhe e rritën në mbi 2 miliardë euro. Plotësuam të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ishte vetëm ratifikimi i vijës kufitare me Malin e Zi, kusht i cili mbeti në pritje, për shkak të kauzave të rrejshme të AAK-së e cila atëherë ishte në opozitë, e tani marrëveshjen e ka votuar në qeveri.

Zonja dhe zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë mandat është përcaktuar të jetë opozitë e fuqishme në Kuvendin e Kosovës. Si opozitë do të punojmë për LDK-në dhe për Kosovën;  për fuqizimin e vlerave të LDK-së që janë në të mirë të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ne nuk kemi asnjë arsye të përkrahim vendimet dhe sjelljet e papërgjegjshme të qeverisë dhe koalicionit të tanishëm. Sepse kjo është qeveri e pazareve dhe interesave të ulëta.

 

Opozitarizmi ynë nuk do të zhvillohet vetëm në Kuvend. Do të shfrytëzojmë të gjitha levat demokratike për t’u ballafaquar me ata që qeverisin keq dhe i bëjnë dëm vendit.

 

Ne e kemi pranuar vendin në opozitë si përgjegjësi ndaj votës së qytetarëve tanë. Sepse, në zgjedhjet nacionale nuk kemi marrë votë të mjaftueshme që të qeverisim vet. Ndërkaq, nuk kemi pranuar të qeverisim me ata me të cilët kemi llogaritur se nuk do t’i bënim mirë vendit.

 

Ne do të bashkëpunojmë me VV si parti opozitare në çështjet me interes të vendit, por opozitarizmin do ta drejtojmë vet.

Të nderuar pjesëmarrës, qytetarë të respektuar, 

Vendi ynë dje u ballafaqua me hapa të nxituar për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. LDK dhe Grupi ynë parlamentar vlerësoi se çështjet jetike për ekzistencën e vendit duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim.

 

LDK  vlerëson se drejtësia duhet të zbatohet në të gjitha rastet dhe për të gjithë pa dallim. Se duhet të ruajmë dhe të kultivojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në dhe se Kosova duhet t’u përmbahet kontratave ndërkombëtare.

Ne nuk shohim asnjë arsye për shfuqizimin e këtij ligji dhe do të kundërshtojmë çdo veprim i cili rrezikon mvehtësinë e shtetit tonë dhe na kthen në kornizat e Rezolutës 1244.

Kjo nuk do të thotë se LDK ka qenë e ngazëllyer me këtë gjykatë. LDK nuk ka kërkuar themelimin e kësaj gjykate. LDK ka kërkuar drejtësi. Themelimin e kësaj gjykate e kanë kërkuar dhe e kanë shkaktuar të njëjtit që sot organizojnë shfuqizimin e saj. E kanë kërkuar dhe e meritojnë ata dhe të sojit të atyre që deklarohen se “punë e madhe nëse janë vrarë veprimtarët e LDK-së”.  Krimi i bërë ndaj çdo njeriu dhe ndaj çdo qytetari pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike, fetare, është krim që duhet të gjykohet dhe dënohet. Të tillët e kanë pak të shkojnë në Hagë.

Zonja dhe zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës ka potencial të madh të kuadrove nga të gjitha fushat. Ne kemi programin politik të harmonizuar me programet politike të partive popullore evropiane, EPP. Jemi anëtare e kësaj familjeje dhe kemi qasje në përvojat më të mira të qeverisjes në vendet e BE-së.

Ne jemi të gatshëm në çdo moment ta marrim përgjegjësinë për qeverisjen e vendit, me përkrahjen dhe votën e qytetarëve tanë. Të bëjmë një qeveri të konsoliduar, numerikisht të vogël, me potenciale të forta politike dhe kompetencë për fusha vitale.

Perspektiva jonë qëndron në zhvillim dhe integrim, është evropiane. Miqësia jonë dhe besimi ynë mbetet i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të gërshetojmë zhvillimin tonë ekonomik me orientimin tonë euroatlantik me bashkëpunimin e përhershëm me SHBA-të, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Me vendet që i ndihmuan pavarësisë së Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës 

LDK është parti e cila di të balancojë ndërmjet meritave dhe përvojës së themeluesve të LDK-së, gjeneratës së mesme dhe gjeneratës së re; të krijojmë hapësirë për të rinjtë dhe të fuqizojmë rolin e merituar të grave.

Me veprimet e fundit, krijimin e hapësirës për kandidat të ri për kryeministër të vendit dhe kandidime të njerëzve të rinj për kryetarë të komunave kemi dëshmuar se interes të parë duhet ta kemi LDK-në dhe jo pozitat dhe pozicionet personale.

Kohezioni ynë është vlerë e përhershme dhe afatgjate. Andaj edhe motivet për protagonizëm e promovime personale dhe individuale duhet të orientohen në suaza të krijimit të një sinergjie vlerash të përbashkëta dhe të pranueshme për anëtarësinë e gjerë.

Anëtarë të nderuar të Kuvendit, Këshillit të përgjithshëm, të Kryesisë, Kryetarë të degëve dhe veprimtarë të LDK-së,

Sinjalet e pranuara në zgjedhjet qendrore dhe ato lokale, dhe jo vetëm të zgjedhjeve, flasin se është e nevojshme të bëjmë korrigjime në organizimin dhe në veprimin tonë.

Pa marrë parasysh se ku kemi fituar dhe ku jo, ne kemi vërejtur nevojën që të vazhdojmë me reforma.

Ne do të krijomë kushte që njerëzit meritor të marrin përgjegjësi partiake dhe përgjegjësi shtetërore, tani në pushtetet lokale e nesër në atë qendror.

Të dashur qytetarë

Përvjetorët tanë janë një rast i mirë për të reflektuar për të sotmen dhe të ardhmen.

Andaj më lejoni të përmend këtu dimensionet që reflektojnë sot LDK-në.

  • LDK është sot partia më e fuqishme politike e konfirmuar si e tillë më 22 tetor, kur LDK mori më së shumti vota nga qytetarët e Kosovës;
  • LDK sot është bartëse e vetme e opozitarizmit në përballje me qeverisjen më të keqe dhe agresive që ka parë vendi që nga paslufta;
  • LDK është sot opsioni i vetëm politik në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, që mund ta qoj vendin përpara;
  • LDK është sot partia e vetme e cila me organizimin dhe homogjenitetin e brendshëm i përfaqëson të gjitha brezat, të gjithë qytetarët, të gjitha shtresat e popullsisë;
  • LDK është sot partia e vetme anëtare e grupit më të madh politik të partive në Evropë, EPP, është partner i besueshëm i SHBA-së dhe vendeve partnere në

Andaj, ne sot si LDK duhet që me frymën e unitetit, me organizimin dhe shtrirjen e madhe në terren, të dinamizojmë frontin kundër të keqes dhe njëkohësisht të shpalosim opsionet tona moderne dhe zhvillimore, qasjen tonë reale, me duar të pastra, duke iu shmangur demagogjive dhe popullizmave shterpë që po i përdorin partitë tjera.

Nga ky tubim, besoj edhe në emrin e secilit prej jush dhe të anëtarëve e simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më lejoni t’ua dërgoj një mesazh të gjithë rivalëve tanë politikë.

Shumë shpejt, Lidhja Demokratike e Kosovës, do ta udhëheqë Kosovën. Për ta shkëputur nga izolimi sikurse 28 vjet më parë.

Për ta drejtuar kah perëndimi, sikurse 28 vjet më parë.

Kjo është e arritshme. Me programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me vizionin e saj dhe me qytetarin e Kosovës.

Urime 28 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Zoti e Bekoftë Lidhjen tonë

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj të mrekullueshëm.

Faleminderit për vëmendjen.