Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka publikuar 2 fotografi nga Aeroporti i Rinasit, ku krahas flamujve shqiptarë, valëviten edhe flamuj kinezë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Shehu e konsideron këtë veprim cënim të sovranitetit, imazhit tonë kombëtar dhe kërcënim të perspektivës europiane.
“Me kokëfortësi po cënohet sovraniteti e imazhi i ynë kombëtar, perspektiva e jonë europiane, sikur të ishim një “Republikë Bananesh”. Vazhdojnë të valëviten flamujt gjigandë kinezë në pozicionin më prezantues të Shqipërisë, aty ku paraqitet sovraniteti e “fytyra” jonë, në hyrje- dalje te Rinasit”, shkruan Shehu.
Sipas tij ky nuk është thjeshtë një lapsus, por një strategji e qartë e qeverisë për të dhënë një mesazh sfide dhe arrogancë ndaj Brukselit dhe Ëashingtonit, kërkesave dhe politikave të tyre strategjike.
Tritan Shehu në vijim të shkrimit të tij shtron pyetjen:
“Shtetarët”, deputetët, drejtuesit e Ministrisë së Jashtme, të Transpoteve, të Protokollit të Shtetit e institucioneve të tjera përgjegjëse që heshtin, a nuk e shikojnë këtë palaçollëk, apo kalojnë vetëm nga VIP-i!?