Florim Kadriu dhe Mark Kqira nuk arrijnë të bëhen pjesë e Parlamentit të Aargau-t

23.10.2016 19:25:40
Në gjithë kantonin Aargau, që bën pjesë në mesin e kantoneve mesatarisht të mëdhenj të Zvicrës, kanë kandiduar vetëm dy kandidatë me prejardhje shqiptare. Ata janë Florim Kadriu, nga qyteti Baden dhe Mark Kqira nga qyteti Bremgarten. Ata kanë zhvilluar një fushatë të mirë dhe serioze, që e ka pasqyruar edhe albinfo.ch, duke zhvilluar edhe intervista me ta.

Por, si duket kjo fushatë nuk ka mjaftuar që ata të sigurojnë vende në parlament. I kontaktuar nga albinfo.ch, Florimi thotë se “mjerisht votat nuk kanë mjaftuar për t`u zgjedhur në parlament”. Njësoj as Mark Kqira nuk  ia ka dalë të zgjidhet. Por, në të dy rastet duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për kandidatura të para dhe për një konkurrencë të ashpër që këta dy kandidatë socialdemokratë kanë pasur në një kanton me prirje të theksuara nga e djathta.

“Jemi sidoqoftë të kënaqur që edhe me votat tona, SP-ja ia ka dalë të shënojë një rritje të theksuar, duke fituar 5 vende më shumë se në zgjedhjet e kaluara ose thënë më ndryshe, një rritje prej  4%”, thotë Kadriu për albinfo.ch.

Florim  Kadriu ka fituar 4335 vota ndërsa Mark Kqira, 1871. Të dy ndodhen diku në mesin e listës së qytetit përkatës, për nga numri i votave të fituara.

Florim Kadriu dhe Mark Kqira nuk arrijnë të bëhen pjesë e Parlamentit të Aargau-t