Fluks i madh i kërkesave për paisje me vulë apostile

13.08.2017 16:06:51

Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme po përballen me fluks të madh të kërkesave për pajisje me vulë Apostile. Pajisja me këtë vulë për momentin bëhet vetëm në Prishtinë, ndërsa qytetarët ankohen për mungesë të këtij shërbimi edhe nëpër komuna të tjera.

Ardhja e mërgimtarëve ka rritur edhe numrin e kërkesave për pajisje  me vulë Apostile. Rrjedhimisht kjo ka ndikuar që të krijohen tollovi nëpër sportelet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Punëve  të Jashtme. Mërgimtarët po ankohen se po ballafaqohen me probleme  që po u shkaktojnë vonesat. Ata thonë se për një vulë Apostile po detyrohen të vijnë nga disa herë në Prishtinë, duke bërë harxhime të mëdha.  Shumica prej tyre kërkojnë që të hapen zyra nëpër komunat e tjera, në mënyrë që të evitohen pritjet dhe vonesat e gjata.
“Problemet tona janë që nuk kemi zyrë për vulë Apostile nëpër komuna tona, po vijmë në Prishtinë për një vulë, dyqind kilometra, që dy herë që po vijmë. Kemi ardhur për vulë Apostile, ka pasur probleme me sistemin dhe është deshtë të presim shumë gjatë. Shumë me lehtë kish qenë për të gjithë ne, se po na bie të vijmë nga të gjitha komunat, më hap zyra nëpër komunat tona më marrë vulën Apostile”, ka thënë një qytetar për Radio Kosovën.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht zyrtarë të Agjencisë së Regjistrit Civil i kanë thënë Radio Kosovës se mbeten të angazhuar për të përmirësuar kualitetin e shërbimeve për qytetarët, por deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ankesë për pajisje me këto vula.

“Qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është se deri me tani nuk është parë si shumë urgjente ofrimi këtij shërbimi edhe nëpër qytetet e tjera të vendit, së nuk kanë marrë ankesa nga ana e qytetareve për pajisjen e tyre me vulë Apostile”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të  Brendshme, në lidhje me mundësinë e hapjes së zyrave nëpër komunat e Kosovës, ka njoftuar se në të ardhmen kjo çështje do të shqyrtohet dhe se do të ndërmerret diçka në këtë drejtim.