Forcës së Sigurisë të Kosovës i shtohen edhe dy pilotë

31.05.2019 13:03:36

Ushtrisë së Kosovës po i shtohen radhët me kuadro të reja oficerësh, profilesh të ndryshme, për të qenë forcë profesionale dhe e ndërveprueshme me ushtritë tjera mbi bazën e standardeve të NATO-s.

Kjo forcë njofton se në vazhdën e sukseseve të arsimimit dhe profesionalizimit janë edhe dy oficerë të rinj, pilotët e Ushtrisë së Kosovës, nëntoger Atdhe Hasani dhe nëntoger Krenar Voca, të cilët përfunduan me rezultate të shkëlqyera shkollimin profesional për pilot helikopteri në Akademinë Ushtarake  “Kara Havacilik Okulu” në Turqi.

Nëntoger Atdhe Hasani, me suksesin e treguar gjatë shkollimit të tij,  ka arritur që të radhitet  i dyti  në mesin e kadetëve më të mirë të gjeneratës.

Në ceremoninë e diplomimit i pranishëm ishte atasheu i FSK-së i akredituar në  Turqi,  kolonel Bekim Osmani.

Oficerët e rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses akademinë ushtarake për pilot, pritet që së shpejti, pas kthimit nga Turqia, të angazhohen me shërbim aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës,  për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve ushtarake në lëmin e aviacionit.

Në bazë të marrëveshjes dypalëshe, Republika e Turqisë po vazhdon të ndihmojë në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të FSK-së.