Frikë para Arsenalit, Robben paralajmëron ekipin

01.02.2017 22:12:39

Arjen Robben nuk sheh shifrat, por performancën. Edhe pse Bayern ka fituar në të dyja ndeshjet e fundit, mesfushori mendon se skuadra ka probleme dhe duhet ta rrisë nivelin e lojës, sidomos sepse më 15 shkurt bavarezët do të presin Arsenalin në “Allianz Arena” në Champions League. “Nëse duam të arrijmë diçka këtë sezon, duhet të jemi krejt ndryshe nga dy ndeshjet e fundit. Përndryshe do të jetë shumë, shumë e vështirë“, – tha Robben për gazetën “TZ”.

33-vjeçari ka frikë se kjo formë e dobët e shokëve të tij të skuadrës – përfshirë edhe atë – mund të jetë katastrofale para ndeshjes me “Topçinjtë” në fazën e tetësheve. “Mendoj se ky do të bëhet problem serioz. Nëse nuk luajmë më mirë ndaj Arsenalit, do të jetë shumë e vështirë. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe këtë e dimë të gjithë”, – shtoi Robben. “Dinamika, kontrolli, rregulli, organizimi – të gjitha duhet të përmirësohen. E dimë ç’duhet të bëjmë tani”, – përfundoi ai.