FSK-ja vazhdon ligjëratat për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i mjeteve shpërthyese

13.02.2017 15:43:39

Instruktorët e Kompanisë së Deminimit të FSK-së, sot, mbajtën ligjërata për vetëdijesimin e nxënësve nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera, në disa shkolla fillore të Komunës së Kastriotit ish Obiliqi si në shkollën “Dositej Obrdoviq”(me nxënës të komunitetit serb), dhe “Ibrahim Rugova”.

“Këto ligjërata organizohen nga Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak dhe Zyra për Komunitete në kuadër të MFSK-së dhe realizohen nga Kompania e Deminimit e FSK-së, përkatësisht nga instruktorët e kësaj kompanie. Gjatë mbajtjes së ligjëratave në shkollat e Kastriotit, ishin të pranishëm edhe komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) kolonel Shaip Haziri, drejtori i NALT-it (Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s) gjeneral brigade Dietmar Mosmann, këshilltarë të NALT-it dhe mysafir të tjerë të NATO-s dhe KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Nxënësit fillimisht i përshëndetën komandanti i RMC-së, kolonel Shaip Haziri dhe drejtori i NALT-t, gjenerali Dietmar Mosmann, të cilët u shprehën mjaft të kënaqur me interesimin që treguan nxënësit për t’u pajisur me sa më shumë njohuri rreth mjeteve të rrezikshme. Ata nder të tjera i porositen nxënësit që të tregohen të kujdesshme ndaj mjeteve të panjohura të cilat mund të paraqesin rrezik për jetën e tyre, si dhe i uruan ata që të rritën në paqe dhe liri, pa mina dhe mjete tjera të pashpërthyera.

Të gjithë nxënësit që morën pjesë në këto ligjërata, qoftë nga komuniteti serb, qoftë nga ai shqiptar u shprehen mjaft të interesuar për të mësuar sa më shumë rreth këtyre mjeteve, gjë që tregojnë edhe pyetjet e tyre të shumta që ua parashtruan ligjëruesve.

Këto ligjërata po realizohen në bazë të planit për vitin 2017, plan ky i hartuar dhe i koordinuar nga Departamenti i BCU-së në MFSK në bashkëpunim edhe me drejtoritë e arsimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Instruktorët e deminimit të FSK-së, aktivitetin e tyre për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i mjeteve shpërthyese do ta vazhdojnë nëpër shkollat e Republikës së Kosovës deri më 9 mars, atëherë kur fillon sezoni veror.