Fund i “çmendur” për Shpresat, Shqipëria mund Kosovën në Elbasan Arena

16.10.2019 09:22:07

Në takimin që u luajt në “Elbasan Arena”, pjesa e parë nisi mjaft mirë për kuqezinjtë. Broja dhe Xhixha kishin disa herë raste, por portieri Smakiqi u tregua i saktë në pritjet e tij. Edhe Selmani për ekipin e Bushit, ishte në lartësinë e duhur sa herë u thirr në krye të detyrës.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ulët, dhe ekipet prisnin më shumë njëra-tjetrën. Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 76-të, ku pas një goditje dënimi, ishte mbrojtësi Shaqir Tafa, i cili me këmbë çoi saktë topin në fundin e rrjetës.

Pas vetëm 5 minutash, ishte i futuri nga stoli, Muçolli, që provoi dhe insistoi vetë, duke çarë mbrojtjen e Kosovës, dhe realizoi një gol tërësisht i vetëm, duke dyfishuar shifrat. “Dardanët” ngushtuan shifrat vetëm në të 89-tën, me anë të Baftiut me kokë nga një goditje këndi, por vetëm kaq.

Në fund, Shqipëria U21 fitoi me shifrat 2-1 ndaj Kosovës, dhe merr fitoren e parë në grup, dhe tani shkon në kuotën e 5 pikëve, pas pesë ndeshjesh. Mbetet në kuotën e 6 pikëve Kosova.