Futen për t’u larë me varkë, mbyten dy fëmijë në liqenin e Shkodrës

17.08.2017 23:06:46

Dy të mitur janë mbytur sot pasdite në liqenin e Shkodrës, ndërsa kishin dalë me miqtë e tyre duke lundruar mbi një varkë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Grilë të Malësisë së Madhe.

Sipas policisë lokale, mësohet se viktimat, 13 dhe 15 vjeç, të dy kushërinj, janë hedhur nga varka në ujë për t’u larë, por pa mundur të dalin më nga liqeni.

Sipas burimeve policore rreth orës 16:00, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe se në Liqenin e Shkodrës, në vendin quajtur Grilë, territor i Malësisë së Madhe,  janë mbytur në liqen dy fëmijë.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendngjarje ku ka rezultuar se ishin mbytur shtetasit E. T.,13 vjeç dhe S. T., 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë. (Kushërinj me njëri tjetrin,)

Nga informacionet paraprake mësohet se 7 persona ishin futur në liqen ku kishin hipur në një varkë të vogël dhe kur kanë arritur në thellësi janë hedhur në ujë për t’u larë.

Varkën e ka marrë rrjedha e liqenit, ku 5 shtetas kanë mundur të dalin në breg të liqenit ndërsa dy të miturit e lartpërmendur janë mbytur.

Shërbimet e Policisë së bashku me disa banorë të fshatit rreth orës 17.45  kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarja e rëndë mbërrin një ditë pasi asaj të ndodhur në plazhin e Zvërnecit, ku një 10-vjeçare humbi jetën e mbytur në zonën e Portonovës në Zvërnec të Vlorës