Grupi Punues serb: Dialogu për Kosovën të përfshijë një qasje të përgjegjshme dhe realiste

30.10.2017 18:12:42

Dialogu për Kosovën duhet të përfshijë një qasje të përgjegjshme, realiste dhe racionale rreth kësaj çështjeje.

Kjo është thënë në takimin e parë të Grupit Punues të Serbisë për Dialogun e Brendshëm me Kosovën, shkruan Radiokim.

Siç njoftoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, seancat e para të këtij grupi për mbështetje të dialogut duhet të bëhen me përfaqësues të ministrive dhe të diskutohet për përfshirjen e trupave dhe organizatave në dialogun e brendshëm dhe të zhvillohet në disa nivele, siç thuhet përmes rrathëve koncentrikë, përfshirë edhe pjesëmarrjen e shtresave të gjëra të shoqërisë dhe grupeve relevante.

“Dialogu duhet të përfshijë qasje të përgjegjshme, realistike dhe racionale rreth Kosovës dhe Metohisë dhe e cila do t’i lejonte Republikës së Serbisë të vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit dhe të eliminojë ndonjë konflikt”, është thënë në takim, përcjell Klan Kosova.

Anëtarët e Grupit Punues në seancën e parë janë pajtuar që dialogu i brendshëm të mbahet në raunde të tryezave, konferencave dhe tribunave si dhe diskutimi me ekspertë dhe profesorë nga fakulteti i drejtësisë i Serbisë – që do ta mbahet nesër në Beograd.

Grupi Punues do të përbëhet nga përfaqësuesit e 18 ministrive, Sekretariati për Legjislacion, Sekretariati Gjeneral Qeveritar, Kabineti i Kryeministrit dhe Zyra për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile.