Gani Geci uron Mustafën dhe tregon kandidatin për kryeministër nga LDK-ja

03.08.2019 14:25:56

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci ka uruar Isa Mustafën për mandatin e ri si kryetar i LDK-së.

Geci në një shkrim të bërë në profilin e tij zyrtar në Facebook ka thënë se, urime i ka shprehur edhe Vjosa Osmanit, që sipas tij do të jetë kandidate e ardhshme e LDK-së për kryeministre të Kosovës.

Gjithashtu në shkrimin e bërë ai ka shtuar se vëllai i tij, Fadil Geci është emëruar anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Në fund, Geci ka pohuar se gara e brendshme tani ka kaluar, dhe që sipas tij, tani ata janë para garës me kundërshtarët politik.

Theksojmë se Isa Mustafa është rizgjedhur sot për here të tretë në krye të LDK-së. Ai ka marrë shumicën e votave nga 355 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve.

Procesi i Kuvendit Zgjedhor u mbajt me dyer të mbyllura për publikun.

Ndërkohë, kryetari i rizgjedhur ka pohuar se procesi ka qenë demokratik dhe se nuk ka pasur asnjë shkelje.

“Në LDK demokracia është më e rëndë se sa në partitë tjera. Ne harmonizojmë shumë kërkesa, dëgjojmë shumë vërejtje dhe sugjerime dhe zhvillojmë procese demokratike. Unë mendoj që që qëllimi i këtij procesi ka qenë ta forcojmë LDK-në dhe të përfshijmë sa më shumë persona të ri dhe të hapim perspektivë për të ardhmen në mënyrë që LDK të jetë e para”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.