Gara e madhe për 120 karrige

27.05.2017 17:00:00

Në Kosovë KQZ-ja dje organizoi tërheqjen e shortit që bëri të mundur renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit. Me këtë u zyrtarizuan edhe listat zgjedhore të kandidatëve për deputet në parlamentin e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se “zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit institucional, sepse qëllimi është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe aktorëve të tjerë të procesit zgjedhor”.

“U bëj thirrje subjekteve politike që të respektojnë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Vetëm në këtë mënyrë, duke u angazhuar të gjithë bashkërisht, do të arrijmë që 11 qershorin ta kthejmë në një ditë feste për qytetarët e vendit tonë”, thotë kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Edhe Përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë bëjnë thirrje për respektim të rregullave zgjedhore dhe në të njëjtën kohë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, pasi vetëm kështu do të ruhet demokracia në vend.

Prania ndërkombëtare dhe ambasadorët e QUINT-it vazhdimisht u bëjnë thirrje partive politike që në listat e kandidatëve për deputet të kenë emra kredibël dhe jo persona që kanë probleme me ligjin.

“Zyra e BE-së në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike që të sigurohen se kanë propozuar kandidatë të përshtatshëm për pozita të larta që ata do të mbajnë. Kosova meriton përfaqësues të pozitës dhe të autoritetit të lartë moral. Në shumë prej vendeve tona individët, të cilët janë dënuar për ‘Krime të rënda’ përjashtohen automatikisht nga pjesëmarrja në zgjedhje”, thuhet në deklaratë për mediet lokale nga zyra e BE-së në Kosovë.

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Kosovë edhe kësaj radhe do të vëzhgohen nga shumë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Ndonëse akoma nuk dihet numri i saktë, përfaqësues të KQZ-së, thonë se deri më 4 qershor është afati i fundit i regjistrimit të vëzhguesve.

“KQZ ditë më parë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe presim që të kemi 100 vëzhgues vetëm nga Bashkimi Evropian, të cilët do të jenë në Kosovë, pak para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Numrin e përgjithshëm të vëzhguesve, akoma nuk e dimë, sepse do të ketë vëzhgues edhe nga subjektet politike, organizatat joqeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare. Procesi i aplikimit të vëzhguesve është i hapur deri më 4 qershor”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve do të jetë i pranishëm edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim”, organizata këto që vazhdimisht vëzhgojnë proceset zgjedhore. Në këto zgjedhje demokracia në veprim angazhohet që të mbulojë mbi 2500 vendvotimet në Kosovë.

“Demokracia në veprim” është një koalicion i gjerë i organizatave vendase, të përkushtuara në sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor në Kosovë. Edhe në këto zgjedhje do të mbulojmë të gjitha vendvotimet. Po presim që të jenë diku rreth 2500 vendvotime në tërë territorin e Kosovës dhe ne do t’i mbulojmë të gjitha”, thotë Albert Krasniqi, nga Demokracia në veprim.

Zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë fillon me 31 maj, por subjektet politike tash e një javë janë angazhuar gjithandej bastioneve të tyre për të mobilizuar elektoratin për zgjedhjet e 11 qershorit.

Kosova hyn në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit me koalicione të mëdha parazgjedhore, praktikë kjo që për herë të parë po aplikohet në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të regjistruar për zgjedhjet ka 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy iniciativa qytetare. Të regjistruar si votues në Kosovë janë afro 1.9 milionë votues. Parlamenti i Kosovës do të ketë 120 deputet.