Gashi: Haradinaj nga inati dështoi të tregojë se është kryeministër

10.09.2017 15:34:14

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, nga inati dështoi të bashkëpunonte me opozitën, duke u ballafaquar në Parlament, përmes debatit për programin e Qeverisë.

Ai ka thënë se Haradinaj dështoi përballë opozitës por pranoi propozimin e Pal Lekajt për të shkuar në votim të Qeverisë pa debat.

“Mundësia e humbur! Haradinaj e humbi mbrëmë mundësinë që të shfaqë lidership.

Tërheqja e propozimit të deputetit Pal Lekaj për ndërprerje të debatit dhe gatishmëria për debat dhe bashkëpunim me opozitën do ta nxjerrte kryeministër dhe lider. Dështoi sepse e mundi inati!”, ka thënë Gashi.

Ramush Haradinaj u votua me 61 vota “për” të shtunën në një seancë në të cilën fillimisht mungonin deputetët serbë, kishte kërkesë të opozitës për të votuar menjëherë Qeverinë dhe pastaj votimi u bë pa debat nga deputetët.