Gashi: Më mirë një qeveri gjithpërfshirëse sesa njo me 61 vota

07.08.2017 19:12:04

Partitë politike vazhdojnë të qëndrojnë të barrikaduara në qëndrimet e tyre. Përderisa, PAN insiston në zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar i Kuvendit,Vetëvendosje dhe LDK vazhdojnë ta kundërshtojnë kandidaturën e tij.

Në anën tjetër, pa zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të procedohet më votimin e qeverisë.

Kësisoj, si mundësi për dalje nga kjo situatë është propozuar edhe formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Arben Gashi thotë se nuk është opsion qe duhet hedhur poshtë. Megjithatë, ai nuk sheh vullnet politik të partitë për formimin e një qeverie të tillë.

“Mendoj se është një opsion më i mirë se sa opsioni i formimit të qeverisë pa mbështetje politike më 61 deputetë. Dy prej të cilëve në mënyre jo transparente do ta përkrahin ashtu siç po thuhet”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Rezultati zgjedhor, i 11 qershorit, sipas tij, ka bërë qe skena politike të ndahet në tri pjesë thuajse të barabarta.

Duke folur për seancën e ftuar nga kryesuesi Adem Mikullovci, Gashi thotë se vendimi i tij nuk është arbitrar.

“Mikullovci e ka atë kompetencë. Ai i ka thirre PAN-in dhe ata nuk i janë përgjigj dhe atij i mbetet me caktuar seancën. Nëse PDK ka një propozim tjetër lidhur me datën e seancës, atëherë mund të ndryshohet”, ka shtuar ai.

Partitë të cilat e përbëjnë koalicionin PAN e kanë vlerësuar si vendim arbitrar thirrjen e seancës për të enjten nga ana e deputetit më të moshuar, Adem Mikullovci.

Vendim për të marrë pjesë ose jo në seancë, zyrtarë të PAN kanë thënë se do ta marrin ditën e mërkure.