Gashi, Veselit: Zgjedhje, seriozisht?

23.10.2016 11:32:18

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për herë të parë ka shpalosur idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Deklaratat e të parit të PDK-së kanë nxitur reagime edhe nga tabori i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, ka thënë se vendi në zgjedhje është një opsion gjithmonë, në rast të krizave, por, sipas tij, nuk është kriza aq e thellë sa të merret si prioritet.

Gashi thotë se nëse PDK-ja e vlerëson se nuk po funksionon partneriteti atëherë mbesin dy rrugë: LDK të gjejë partner të ri ose ta pyes Veselin se, a e ka seriozisht deklaratën që ka dhënë, sepse, sipas Gashit, serioziteti i tij nuk është shumë i lartë në këto drejtime.

“Në përgjithësi ai rrëmbehet nga emocionet në raste të caktuara dhe në këtë rast ka pas një deklaratë të tillë. Një parti serioze duhet të jetë e gatshme gjithmonë për zgjedhje, e LDK-ja është e tillë”, ka thënë ai.

Më tej, deputeti i partisë së Mustafës thotë se nuk beson se demarkacioni është çështja që mund ta qoj vendin në zgjedhje. Mirëpo, nëse vendi shkon në zgjedhje për këtë çështjen, Gashi thotë për indeksonline se LDK do të dal fituese.

“Nëse për demarkacioni dhe asociacionit shkojmë në zgjedhje, atëherë mendojë se LDK-ja duhet të jetë krenare me punën e vet. Pasi, ka arrit t’i ndalojë këto dy tema problematike për Kosovën. Ndërsa nëse shkohet për çështje të tjera duhet me qenë të sinqertë partneret e koalicionit të cilët e kërkojnë shkuarjen në zgjedhje”, është shprehur ai.