Gecaj i quan mercenarë Isufin e Bulliqin

04.03.2017 10:30:55

Vazhdojnë përplasjet dhe akuzat e kundërakuzat mes zyrtarëve qeveritar dhe ekspertëve që po e kontestojnë demarkacionin me Malin e Zi, sipas raportit të Komisionit për matjen e territorit të Kosovës.

Menjëherë, pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës, sipas të cilit Kosova nuk humb territor, ka reaguar profesori i gjeografisë, Florim Isufi, duke mbrojtur qëndrimin se me Demarkacionin me Malin e Zi, Kosova humb territor. Ndërsa, kryetari i Komisionit për Matjen e Territorit, akademiku Hivzi Islam, ka thënë dje se ata që po e kundërshtojnë demarkacionin po ia futin barutin Kosovës, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, Isufi thotë se “baruti Kosovës nuk i futet me mbrojtje të interesave shtetërore të Kosovës, por nëse i rrezikon interesat shtetërore”.

Ndaj zhvillimeve dhe deklaratave të fundit nuk ka qëndruar indiferent, Bajram Gecaj, zëvendësministër i Pushtetit Lokal, i cili përmes një postimi në Facebook, ka polemizuar me profesorin e Gjeografisë, Florim Isufi.

Postimi i Gecajt:

“MOS T’UA VARIM VESHIN MERCENARËVE

Florim Isufi paska reaguar duke thënë se “baruti nuk i futet Kosovës me mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës, por nëse i rrezikon interesat shtetërore”.

Megjithate, ai mu këtë po e bën….me mercenarizmin e tij ai po rrezikon:

Marrëdhëniet miqësore me Malin e Zi; liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës; degradim serioz marrëdhēnjesh me shtetet mike si BE dhe SHBA; ngadalësim deri në kufijtë e rrezikimit serioz të udhëtimit tonë drejt BE-së dhe NATO-s; pamundësim të shpejt të formimit të ushtrisë së Kosovës; konfrontime të panevojshme dhe me gjasa edhe të dhunshme opozitë-pozitë; krijim të një ambienti jo të përshtatshëm për investimet e huaja; “quarje uji në mullirin” e atyre të cilët avokojnë papjekurinë tonë për të mbajtur shtetin; ushqim të politakave Beogradase e Moskovite në rajon; e shumë e shumë efekte tjera të tilla të drejtpërdrejta e anësore.
“Ekspertë” të tillë mercenarë mediatik përfundimisht rrezikojnë të arriturat e deritanishme të Republikës. Andaj do të duhej që mos t’ua varim veshin këtyre mercenarëve” (sic.), ka shkruar Gecaj.