Gecaj: Nëse vërtetohen akuzat, Vetëvendosje duhet të shpallet organizatë terroriste

07.09.2016 19:32:16

Bajram Gecaj, zëvendësministër i MAPL-së dhe këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se nëse vërtetohen se zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes kanë gjuajtur Kuvendin me granatë dhe kanë djegur veturën e bashkëshortes së tij, kjo organizatë duhet të shpallet terroriste.

Këto komente Gecaj i ka bërë në RTV Dukagjini, duke thënë se këtë nuk e paragjykon, por pret vendimin e drejtësisë për arrestimin e aktivistëve.

“Nëse ata merren me këto veprime, siç i akuzon prokuroria, seriozisht duhet të merret se çka të bëhet me këtë organizatë, se nëse vërtetohen këto akuza, po duhet të shpallet organizatë terroriste”, ka thënë Gecaj, transmeton Indeksonline.

“Nëse vërtetohet se aktivistët e lartë të kësaj partia merren me kësi aktivitete, për mua do të jenë organizatë  terroriste”, ka thënë Gecaj.