Gecaj:VV është një lëvizje anarkiste

01.09.2016 07:49:00

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e keqja më e madhe që mund t’i ndodh vendit.

Ai ka deklaruar se veprimet e kësaj lëvizje janë anarkiste dhe ardhja në pushtet e saj do të instalonte diktaturën në vend, për shkak se ideologjia e tyre është revolucionare.

“Në vazhdimësi Vetëvendosjen e kam quajtur anarkiste, sepse të gjitha veprimet i kanë të tilla. Edhe kur i kam quajtur veprimet e tyre si ato të Brigadave të Kuqe ka ndodhur e njëjta gjë, por ditët e fundit ata kanë treguar se janë të gatshëm për veprime të rrezikshme. Nuk është vështirë të hysh në përleshje me aktivistë të kësaj lëvizje. Mënyrat dhe metodat e tyre janë të dhunës. Kryekacaku i tyre, Dardan Molliqaj, ditë më parë tha se do t’i tërheq njerëzit zvarrë në rrugët e Prishtinës. E kemi parë atë vet në kamera duke e nxjerrë njerëzit nga vetura. Në një intervistë para disa ditësh e kam thënë që e keqja më e madhe e këtij vendi është Vetëvendosja. Në këtë vend ka shumë të këqija. Ka krim të organizuar, korrupsion e të tjera, por nëse këta njerëz e marrin pushtetin unë jam i bindur se do ta instalojnë diktaturën. Sepse ideologjia e tyre është revolucionare. Ata duhet që të rrënojnë gjithçka, që më pas të ndërtojnë në të tyren”.

“Ekzistojnë pamjet kur aktivistë të tyre gjuajnë me koktej molotovi në trupin e policëve. Për mua këto janë akte terroriste. Këto vijnë nga njerëz që plot gojën e kanë me luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Gecaj më tutje ka thënë se beson që pjesëmarrja në protestën e së enjtes nuk do të jetë masive, për shkak se qytetarët nuk besojnë në kauzën e prezantuar nga Vetëvendosje, ndërsa ka theksuar se këtij subjekti nuk i intereson nëse liberalizohen vizat apo jo, pasi, së fundmi, zyrtarë të lartë të saj kanë marrë pasaporta të Shqipërisë.

“E kam dëgjuar Dardan Molliqajn të thotë se shumica e shqiptarëve kanë armë, sepse njerëzit kanë qenë në luftë. Edhe unë e kam pasur vëllanë në luftë. Por pas lufte, edhe unë, edhe ai, kemi armë gjuetie. Por i kemi me leje”.

“Nuk besoj që të ketë dalje masive në protestë. Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe Dukagjin Gorani, kur thotë që jo të gjithë kundërshtuesit dalin në protesta. Unë besoj në të kundërtën. Ne e kemi parë edhe herëve të kaluara. E kemi parë që të tri partitë nuk kanë mundur të mbledhin numër të madh qytetarësh”.

“Zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes para disa ditësh morën pasaporta të Shqipërisë. Edhe atyre nuk u intereson liberalizimi i vizave”.