Gent Cakaj: Jemi të gatshëm për zhbërjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

19.02.2020 13:17:14

Ministri në detyrë për Evropë dhe punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, e ka vizituar sot Kosovën, me ç’rast është pritur nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

I pari i shtetit e ka falënderuar mysafirin për kontributin e dhënë dhe për qëndrimin unik që Shqipëria e ka për Kosovën, duke shprehur besim që vizionit të Kosovës do t’i jep shtytje të madhe.

Ndërkaq, Cakaj mes tjerash tha se Shqipëria është munduar që të jetë zëri i Kosovës në forumet shumëpalëshe dhe t’i adresojë të gjitha çështjet që e ngarkojnë agjendën e saj.

“Kosova ka qenë pjesë e agjendës politike të jashtme të Shqipërisë. Kemi qenë të fokusuar në konsolidimin e marrëdhënieve brenda shqiptare në rajon, me ç’rast e kemi edhe një sukses të konsiderueshëm siç është koalicioni i partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, kemi qenë po ashtu të angazhuar në çështjen e njohjeve të Kosovës. Në forumet shumëpalëshe jemi kujdesur që aty ku Kosova nuk ka prani ne të jemi zëri i saj dhe t’i adresojmë të gjitha çështjet që e ngarkojnë agjendën e saj”.

“Dua të falënderoj veçanërisht për kontributin që ka dhënë Kosova pasi Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit. Solidariteti i popullit të Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe puna e institucioneve të Kosovës e pashembullt dhe me atë e kemi dëshmuar se ndonëse jemi dy shtete, ne jemi një komb i vetëm dhe se marrëdhëniet tona duhet të thellohen”.

“Unë kam ardhur ne Kosovë që të shpreh gatishmërinë për vazhdimin e projektit të vendosjes së ambasadave të përbashkëta, ndarjes së hapësirës në konsullata tona, vazhdimin e projekteve për këmbimin e personelit diplomatik dhe po ashtu për të krijuar një agjendë politike të koordinuar në mënyrë që të mos lejojmë që agjendat e ndryshme institucionale të përkthehen edhe në kundërthënie kombëtare”.

“Për gjithë atë që keni bërë për përafrimin e dy vendeve, unë shpreh mirënjohjen time të veçantë, në emrin tim personal dhe në emër të qeverisë që përfaqësoj”.

“Kosova dhe Shqipëria momentalisht kane një kufi simbolik dhe realisht nuk duhet të kenë kufi fare. Ne jemi të gatshëm të fillojmë punën menjëherë me të gjitha grupet punuese për zhbërjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe po ashtu për krijimin e një hapësire të lirë të qarkullimit të kapitaleve e burimeve njerëzore, meqenëse në shumë aspekte mund ta plotësojmë njëra tjetrën dhe në këtë kuptim duhet të jetë më shumë çështje e bisedave dhe koordinimeve të hapave teknikë se sa e vendosjes së pikëpyetjeve politike’.