Gërmimet rikthejnë arkeologët në rrënojat e Adrianopolit antik

31.07.2016 09:36:01

Për të 12-in vit radhazi arke ologët shqiptarë dhe ital ianë janë rikthyer në rrëno jat e qytetit antik të Adrianopolit, pranë fshatit Sofratikë, në rrethin e Gjirokastrës. Prej disa ditësh në këtë sit arkeologjik misioni kërkimor shqiptaro-italian po punon intesivisht për zbulimin dhe studimin e gjetjeve të ndryshme arkeologjike. Sipas bashkëdrejtuesit të ekspeditës, arkeologut Dhimitër Çondi, puna kërkimore do të përqendrohet në zonën arkeologjike pranë teatrit antik me qëllim evidentimin e gjetjeve të ndryshme. “Gjithashtu pjesë e punës sonë do të jenë edhe elementët e ndryshëm studimorë në lidhje me këtë qytetërim të lashtë”, thotë arkeologu Çondi. Ndërkohë për bashkëdrejtuesin tjetër të ekspeditës, profesorin italian Roberto Perna, një rëndësi të veçantë në këtë mision arkeologjik do t`i kushtohet edhe restaurimit të objekteve të ndryshme që do të zbulohen në rrënojat e qytetit antik.

“Krahas elementëve kërkimorë dhe studimorë, kjo ekspeditë synon edhe rijetëzimin e qyteti antik të Adrianopolit në shërbim të zhvillimit të turizmit dhe kthimin e këtij siti në një Park Arkeologjik”, thotë Perna. Qyteti antik i Adrianopolit ndodhet në fushë të hapur, 14 km në jug të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër- Sarandë. Megjithëse gërmimet arkeologjike të kryera në të kanë nxjerrë në dritë vlera të reja, sërish ky sit simbolizohet me teatrin e gurtë. Teatri antik i Adrianopolit datohet rreth dhjetëvjeçarëve të mesit të shek. II p.e.s. Ai ka një kapacitet prej 4000 spektatorësh dhe është i pajisur me 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Teatri për nga mënyrë e punimit të mureve ofron më tepër me teatrin e Butrintit. Gjatë gërmimeve arkeologjike në vite, në zonën e teatrit janë zbuluan dhe disa objekte metalike të shek II dhe IV e.s dhe qeramika të shek. IV-VI të e.s. Qeramikat e përdorimit të përditshëm dhe plotësimi i kthinave me mure të dobëta gjatë shek IV-VI të e.s, dëshmojnë se në këtë periudhë teatri pushoi së funksionuari dhe u përdor për vendosje banesash.

Gërmimet arkeologjike, kanë zbuluar në zonën pranë teatrit edhe një nekropol rreth 1.5 ha i shekullit II-III e.s me inventar të pasur si dhe gjurmë muresh nën shtresën e madhe tre-metërshe të aluvioneve të lumit Drino. Kohët e fundit, pranë teatrit janë zbuluar edhe fragmente e një muri rrethues, çka i ka nxitur arkeologët të mendojnë se kemi të bëjmë me dëshmi historike të ekzistencës së një qytetit antik të Adrianopolit. Ky teatër është evidentuar për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore prej arkeologut austriak Prashniker. Por për këtë qendër romake në luginë e Drinos ka folur në shkrimet e veta edhe studiuesi anglez Hammond. Gërmiket e para në teatrin e gurtë janë bërë prej Institutit të Arkeologjisë dhe ka qenë arkeologu Apollon Baçe që në vitet ‘80-të ka drejtuar disa ekspedita arkeologjike të cilat zbuluan pamjen e teatrit që kemi sot. Një kanal drenazhimi i realizuar vitet e fundit për largimin e ujërave nga skena e teatrit ka bërë të mundur verifikimin në një distancë prej 360 m larg teatrit të disa strukturave muresh dhe veglash pune që i referohen këtij qyteti antik. Arkeologët këto gjetje i lidhën me qytetin e lashtë të Hadrianopolit.