“Gërministët” e Diasporës, nismë e mbarë apo mashtrim!?

02.06.2018 06:54:29

Nga Florim Zeqa

Konfernca “Diaspora flet”, e mbajtur ditë më parë në Prishtinë ngjalli reagime të ndryshme në opinionin publik. Organizatorët e këtij aktiviteti, me ose pa qëllim e dështuan këtë nismë që në aktivitetin e parë!

Koordinimi i aktivitetetve me pushtetarët (politikanët) e korruptuar në të dyja nivelet e pushtetit (lokal e qendror), është pak më tepër se huqje e cakut.
Shprehja e pikëpamjeve të “Gërministëve” përmes mekanizmave të pushtetit (Parlament, Qeveri, Komunë) paraqet huqjen më kapitale.
Lënja menjëanë e takimeve dhe bashkëbisedimit me qytetarët e Kosovës, për më tepër se lëshim, konsiderohet dështim në hapin e parë të “Gërministëve”.
Përveqse ndryshimet e shumëpritura nuk arrihen përmes pushtetarëve, as investimet nuk realizohen përmes filtrave të pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuar, ngase çdo investim do të ketë finalizim minimal në rrafshin praktik, për shkakun se pushtetarët e pangopshëm, pa e nxjerrur në fillim pjesën e tyre përmes haraçit nuk do i lënë të shkojnë tutje inestitorët shqiptar.
Për më tepër se kaq, kur është në pyetje hajnia dhe zhvatja e parave nga buxheti i shtetit dhe investimet e jashtme, pushtetarët e të dyja niveleve, dinë të bëhen bashk, sikurse u bënë bashk ditë më parë në Komunën e Prishtinës, për shtrimin e trasesë së rrugës prej 600 metrave në vlerë mbi 800 mijë euro!
Ky është vetëm një ilustrim i vogël, në krahasim me plaçkitjet qindra milionëshe nga shtrimi i autostradave më të kushtueshme në botë!
Të gjithë bashkatdhetarët që i duan të mirën vendit dhe popullit të tyre nuk bëhen një me politikanët e korruptuar dhe tejinkriminuar që ua nxinë jetën qytetarëve të Kosovës.
Elitat intelektuale në Diasporë që angazhohen për demokratizimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, duhet t’i bashkohen popullatës e jo pushtetarëve.
Ngase, joshja me ndonjë post apo privilegj pushteti mund t’ua vërbojë sytë dhe turbullojë mendjen sa për të mos e parë realitetin e hidhur jashta institucioneve të shtetit.
Jo projekteve diskriminuese
U bëjë thirrje publike të gjithë mërgimtarëve, intelektualëve dhe biznesmenëve që të bashkohen njëmënd me njëri-tjetrin për të realizuar ndryshimin substancial në Kosovë, jo përmes konferencave “ad-hoc” dhe pjesmarrjes në pushtetin e kalbur dhe të inkriminuar,…por përmes bashkërendimit të veprimeve për një strategji të pastër kombëtare, për ardhjen në shprehje të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe heqjen e të gjitha barrierave byrokratike që stimulojnë dhënjen e haraçit,  kusht ky i domosdoshëm për krijimin e kushteve të favorshme për investimet e mërgatës në vendlindje, gjegjësisht realizimin e të drejtave legjitime në shtetin e origjinës.
Thënë edhe më qartë, përfundimisht ka ardhur koha për një iniciativë të shëndoshë të mërgatë sonë, me qëllim të ikjes nga projeketet antikombëtare , cilat do qofshin ato; “Gërminiane”, “Ahtisariane” apo “Aikinsiane” të cilat për qëllim kanë promovimin e multietnicitetit në shtetin më etnik në Evropë!
Për këtë arsye, kemi të drejtë të mos u besojmë tutje projekteve që vijnë nga jashtë.
Përvojat e deritanishme kanë treguar se projektet ndërkombëtare në Kosovë,  gjithnjë kanë prodhuar heterogjenitet e ndarje të shqiptarëve në dy pjesë; të privilegjuar dhe diskriminuar!
Një situatë e tillë u shfaq edhe në konferencën e parë të projektit “Germin”, ku të privilegjuarëve të pushtetit ju dha hapësirë mediatike, pa pasur ndonjë sukses personal. Ndërsa ata që ishin më largë zemrës së pushtetarëve, mbetën largë syrit të kamerave dhe mikrofonit të mediumeve publike.
Tendenca e hapur për manipulim
Monitoruesve të vatrave të krizave në Ballkan, siq duket u ka rënë në sy situata shpërthyese në Kosovë, shkaku i pakënaqësive të mëdha sociale, andaj me çdo kusht duan ta ruajnë vazhdimësinë  e ndikimit përmes krijimit të një klase të re servilësh e puthadorësh, që s’janë gjë tjetër veqse sejmen të politikanëve të korruptuar dhe shantazhuar.
Këtë që ceka më sipër e dëshmon ekzaltimi i skajshëm i disa pjesmarrësve të konferencës së sipërpermendur, duke e trajtuar “Germin” si projekt hyjnorë.
Vallë, pse u dashka ne shqiptarët t’u shkojnë prapa projekteve e të tjerëve, kur kemi potencial të bollshëm njerëzorë (intelektual) për hartimin e projekteve afatgjata kombëtare, për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e uzurpatorëve.
Përderisa vitin e kaluar “Samiti i Diasporës” i kënaqi mafio-oligarkët dhe bosët e “Kanabisit shqiptar”, kësaj radhe “Diaspora flet” i kënaqi mafio-politikanët kosovar përmes “Garministëve” të rinjë të cilët nuk e dinë nga vijnë dhe ku shkojnë!?
Sikurse “Simitët” e Diasporës, edhe “Gerministët” janë lodra në duart e pushtetarëve për realizimin e maskaradave mashtruese të pushtetarëve të korruptuar dhe tejinkriminuar, kinse po reformohen, duke shpërndarë filizat e tyre gjithandej trojeve etnike dhe Diasporë.
Shfrytëzimi i Diasporës për nevojat e politikave ditore
Në dekadën e fundit, diaspora shqiptare, nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës u përdor dhe u bë pjesë e agjendave politike vetëm në raste krizash politike, duke u përdorur si dekor festimesh dhe për dekorim të ndonjë sekseri të tyre në Diasporë, gjoja për punën dhe veprimtarinë atdhetare. Zyrtar të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, ministra dhe ambasadorë gjatë vizitave mërgatës sonë, takojnë vetëm individët dhe grupacione të afërta me ta, duke asistuar në hapjen e ndonjë shkolle të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ndonjë aktiviteti të vockël kulturor, sa për të “mbajtur” lidhjet me sekserët e tyre, të cilëve ua hedhin nga një ashtë të fëlliqur në emër të financimit të ndonjë aktiviteti,…duke injoruar dhe anashkaluar shoqata dhe organizime të mirëfillta, duke injoruar në tërësi trurin e kombit shqiptar në Diasporë.
Pasojat e politikanëve të papërgjegjshëm
Politikanët e papërgjegjshëm, Kosovën nga një vendi i shpreses dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ënderrat shndrrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma palindur, ku vdekja të shoqëron çdo kund dhe në çdo hap të jetës.
Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën e afërt identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë, atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin, toleranacën,…tani janë kthyer në njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnik në tradhëtar, nga besimtar në fanatik fetar, nga politikanë në biznesmen matrapaz, nga mbrojtës të pasurisë shoqërore në shkatrrues të ardhmërisë !
Pushtetarët aktual, përveqse janë shndrruar në thyerës të shpresave për jetë të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë, kanë vënitur edhe ëndërrat e qindramijëra mërgimtarëve për kthim të shpejtë në vendlindjen e tyre.
Nga paslufta e këndej, të gjithë pushtetarët pa dallim, e kanë injoruar mërgatën, me të gjitha kapacitet intelektuale të saj nga frika e humbjes së pushtetit.
Në anën tjetër, edhe mërgimtarët, deri më tani i kanë provuar të gjitha mundësit për ta bindur këtë klasë të papërgjegjshme për ndrrim të kursit qeverisës në vend.
Intelektualët nga mërgata, përmes shkrimeve analitike, kërkesave për ndryshim, peticioneve dhe formave të ndryshme i bënën thirrje edhe popullatës për ndërgjegjësim dhe vetëdijësim, por të gjitha na dolë të ishin të pamjafteshme!
Multimilionerët sfidojnë popullatën e varfër e të pashpresë
Paradoksalisht përballë njëra-tjetrës ndodhen dy shtresa të skajshme të popullsisë; oligarkët e pushtetit, oligarkët ekonomik dhe politikanët multimilionerë përballë një popullate të varfër, madje skajshmërisht të varfër, të harruar dhe nëpërkëmbur nga pushteti.
Jemi i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë, që nuk kemi sigurime shëndetësore për qytetarët, përderisa në vendet për rreth nesh edhe kafshët i kanë të siguruara.
Siguria e jetës së qytetarëve është nën pikën zero, ku jeta e njeriut në Kosovë vlenë më pak se 30 cent!
Aq e rëndë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në vendin për të cilin u sakrifikua gjatë, sa që secili qytetar i lutet zotit për largimin pa kthim nga vendi i bekuar, i larë me gjak ndër shekuj.
Ata që ikin nga vendi, ikin duke mallkuar tokën që i rriti, shkaku i një grushti të vogël kusarësh politik, që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.
Andaj, zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve me gjak të pastër shqiptar, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe njëherë sikurse në fillimvitet e ’90-ta, për ta nxjerr Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona kombëtare.
Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë,  mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të mërgatës sonë, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të resurseve të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.
Levizja e re politike nga mërgata, shpëtim për vendin
Krijimi i një levizje të re politike nga elita intelektuale nga mërgata, konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.
Levizja e re politike nga mërgata nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën,…pragmatizmi dhe patrioztizmi i tyre përfundon tek “URA” mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Levizja e re politike nga mërgata duhet t’i bashkoj të gjitha forcat progresive pa dallime rajonale, partiake, ideologjike apo fetare për ta shpëtuar vendin nga katandisja në humnerë dhe për ta shpëtuar shtetin nga zhbërja fizike.
Lënja e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër se heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.
Ardhja në pushtet e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenje qytetare.
Me forcimin e sistemit të drejtësisë jo vetëm që do të luftohen dukuritë negative, do të krijohet siguri për investime dhe shpresë për ardhmëri në vendin tonë.