Gjendja e rrugëve në Klinë, komuna vërejtje kompanisë për mos reagim të duhur

27.02.2018 16:10:36
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Ibër Elezaj, kanë dalë në terren dhe kanë parë nga afër gjendjen e rrugëve në Komunën e Klinës, pas reshjeve të fundit të borës që ka shkaktuar telashe në lëvizjen e automjeteve. Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media.

Sipas Komunikatës, kryetari Elezaj, ka kërkuar nga përgjegjësit e Kompanisë që të jene sa më aktivë dhe t’u dilet në ndihmë qytetarëve sidomos në ato zona ku gjendja është më e vështirë.

“Rrugët kryesore të Komunës së Klinës, janë të hapura, por në disa zona të thella malore raportohet se ka vështirësi qarkullimi për shkak të borës dhe ngricave që kanë krijuar shtresa të akullit, por edhe si pasoje e mosreagimit dhe mosgatishmërisë së duhur të Kompanisë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve”, thuhet në komunikatë.

Komuna e Klinës, saktësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, ka adresuar një vërejtje me shkrim ndaj Kompanisë EL – BAU SHPK nga Gjilan, që është përgjegjëse për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, për reagim jo të duhur krahasuar me nevojat që janë paraqitur gjatë dy ditëve të fundit, ku ka pasur edhe reagime të qytetarëve.

“Në takimin e Bordit të Këshillit të Drejtorëve, kryetari Elezaj, ka kërkuar që firmat që nuk i kryejnë punët si duhet t’ju behët vërejtje. Ibër Elezaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, thotë se prioritet në pastrimin e rrugëve i është dhënë fshatrave malore duke mos harruar as pjesët tjera. Sot raportohet se gjendja është më e mirë”, bënë të ditur tutje komunikata.