Gjenerali bullgar: Rusia po armatos Serbinë, neve NATO asgjë

23.02.2017 14:10:15

Ish-shefi i shërbimeve të inteligjencës të Bullgarisë, gjenerali Kiriçi Kirov ka thënë se Serbia po bëhet një faktor ushtarak në rajon.

Ai ka thënë se Bullgaria edhe pse është anëtare e NATO-s ka një problem me armatosjen, ndërsa Serbia merr armë moderne falas nga Rusia, transmeton lajmi.net.

Sipas Kirov, tensionet që po zhvillohen në mes NATO-s dhe Rusisë po rrezikojnë Bullgarinë dhe padyshim do të ndikojnë në situatën në rajon.

Ai ka theksuar se operacioni i Rusisë dhe NATO-s në Detin e Zi konsiderohet agresiv.

“Është e qartë se kjo është një lojë e nervave e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne vetëm mund të shpresojmë se ky zhvillim nuk do të zgjas dhe do të ndalen provokimet të cilat shkaktojnë konflikt ushtarak”, ka thënë Kirov.

Birov shtoi se për shkak të situatës së rrezikshme në afri të Bullgarisë duhet monitoruar zhvillimet dhe ushtria të ketë vëmendje të veçantë.

Tutje ai ka thënë se është e qartë se Rusia mbështetet në Serbi dhe se ka qenë gjithmonë kështu, duke shtuar se Serbia është e rrethuar nga vendet anëtarë në NATO mirëpo merr ndihme ushtarake nga Rusia.

“Bullgaria si një anëtare e NATO-s ka një problem me ri-armatosjen, edhe veshjet luftarake i ka më të lirat, nuk ka avion dhe raketa moderne. Serbia është bërë një faktor rajonal në aspektin ushtarak”, ka thënë ai.