Gjermania e gatshme të bashkëpunojë me FSK-në

Gjermania e gatshme të bashkëpunojë me FSK-në

21.02.2017 15:40:17

Në mjediset e Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, qëndroi një delegacion ushtarakësh-ekspertë nga Qendra për Zhvillim të Lidershipit dhe Edukim Civil të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, të prirë nga komandanti Volker Brasen dhe nënklolonel Martin Gerster.

 

Delegacioni gjermanë u prit, në vizita të ndara, nga ministri Haki Demolli, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj dhe drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK-së, gjeneral brigade Zymer Halimi.

Ministri Demolli e falënderoi delegacionin ushtarak gjerman për ndihmën e pakursyer që  Gjermania dhe Forcat e saj Ushtarake i kanë dhënë ndër vite FSK-së për edukimin dhe trajnimin ushtarak, si dhe për mbështetjen e dhënë për integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë. Ministri po ashtu i njoftoi ekspertët ushtarakë edhe me të arriturat e përgjithshme të FSK-së si; bashkëpunimin ndërkombëtar, arritjet profesionale, e në veçanti  lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në FAK.

Ministri i FSK-së i shprehu dëshirën delegacionit gjerman për  ta rritur bashkëpunimin edhe në fusha tjera me interes të dyanshëm.

Më pas delegacioni i ekspertëve ushtarak u prit edhe nga sekretari i përgjithshëm i FSK-së, Shkëlzen Sylaj dhe drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi, të cilët, përveç tjerash, falënderuan delegacionin ushtarak gjerman për ndihmën e vazhdueshme që ata po japin në ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.

Vlen të cekët se delegacioni ushtarak gjerman, në bazë të Planit të bashkëpunimit dypalësh që ka MFSK-ja me Gjermaninë, që  nga data 20  shkurt 2017 ka filluar  mbajtjen e seminarit me temë “Forcat e Armatosura në Demokraci” i cili do të vazhdojë deri më 24 shkurt 2017.

Në fund, ekspertët ushtarakë gjermanë falënderuan ministrin Demolli, sekretarin Sylaj dhe gjeneral Halimin për pritjen  dhe njëherazi premtuan thellimin e bashkëpunimi edhe në të ardhmen në mes FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë.