Gjermania ndihmon FSK-në me 50 mijë euro

15.06.2017 11:10:22

Gjermania vazhdon të ndihmojë në forma të ndryshme Kosovën. Kësaj radhe e ka ndihmuar me një donacion prej 50 mijë euro.

Qeveria e Gjermanisë ka dhuruar një donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës me vlerë prej 50 mijë euro, njofton albinfo.ch.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit gjerman u bë në Brigadën e Mbështetjes Operacionale (BMO) të kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm drejtori i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Chrisitna Gehlsen, koloneli Gjerman Michael Gierse, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), kolonel Naim Haziri si dhe eprorë të FSK-së, thuhet në njoftim.

Me rastin e pranim-dorëzimit të këtij donacioni, gjenerali Zymer Halimi, në emër të FSK-së ka falënderuar zëvendës-ambasadoren Gehlsen për mbështetjen dhe ndihmat e vazhdueshme që Qeveria e Gjermanisë po jep për FSK-në.

E kënaqur nga realizimi i këtij donacioni u shpreh edhe zëvendësambasadorja Chrisitna Gehlsen e cila pos tjerash tha: “Ky donacion është vazhdimësi e donacionit të mëhershëm të automjeteve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe këto vegla do ju mundësojnë që automjetet të jenë sa më funksionale”.

Dhurimi i këtij donacioni të fundit dhe donacioneve të mëhershme për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rezultat i një bashkëpunimi mjaft të mirë në mes të këtyre dy shteteve.