Gjilani me ​191 raste aktive me COVID-19

22.08.2020 19:12:10

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbledhja e vlerësimit ditor e Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në takim u bë e ditur se deri tani, 750 qytetarë të Gjilanit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 529 janë shëruar, raste aktive janë 191, të hospitalizuar janë 59 pacientë, mostra në pritje 24 dhe fatkeqësisht 30 pacientë e kanë humbur betejën me virusin.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i respektojnë me përpikëri masat anti-covid, si e vetmja mënyrë për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi.

“Apeloj që t’i respektoni masat mbrojtëse, maskat, distancën sociale dhe mbajtjen e higjienës kundër virusit të panjohur. Virusi nuk pyet çka e kush je. Të rrëzon përtoke e të merr me vete nëse nuk ruhesh!”, ka thënë Haziri.