Gjirokastër: Kryebashkiakja Zamira Rami “rrëzon” flamurin kombëtar

16.03.2017 15:58:05

Një skandal të vërtetë mund të quhet ajo që po ndodh prej javësh në qytetin e Gjirokastrës. Flamuri kombëtar shqiptar, simboli i shqiptarisë, është përdhosur dhe askujt nga autoritetet vendore, nuk po i bën përshtypje. Kjo shtyllë e gjatë gati 30 metra, është vendosur tre vjet më parë nga ish kryetari i Bashkisë së asaj periudhe Flamur Bime, pikërisht për vendosjen e simbolit kombëtar shqiptar në vendin e mirëseardhjes së turistëve të huaj apo vendas në sheshin “Cerciz Topulli”.

Mirëpo prej gati një muaji, në majë të kësaj shtylle, flamuri kuq e zi, është zhdukur dhe gjurma e tij, gjendet në degët e pishave që ndodhen përbri shtyllës së lartë. Pamjet flasin qartësisht për atë cka mund të quhet skandal apo përdhosje të simboleve kombëtare. Bashkia është administruese e cdo objekti publik në qytet, ashtu sikurse edhe i kësaj shtylle që është ngritur me të vetmin qëllim, identitetin kombëtar shqiptar, nuk i ka bërë përshtypje dhe e ka lënë këtë situatë në pikën fillestare.

Kjo gjendje, është kontakti i parë pamor, i cdo personi të huaj që mbërrin në qytetin e gurtë dhe shikon një pacaure të tillë produkt i papërgjegjshmërisë totale. Sipas protokollit shtetëror, flamuri shqiptar vendoset në hyrje të cdo institucioni publik apo privat dhe në rastin konkret, flamuri gjigand, nuk duhej të mungonte as një minutë e jo më të zvarritej rivendosja e tij nga autoritetet bashkiake.

Reklama