Gjobat për kundërvajtje trafiku në Kosovë, më të larta se në Gjermani

22.09.2016 21:52:15

Kush e ka në qejf shpejtësinë e kush e ka zakon të mos i respektojë rregullat në komunikacion, paraprakisht bën mirë ta shohë këtë tabelë.

Me ligjin e ri për komunikacion, gjobat dhe heqja e pikëve për të gjithë kundërvajtësit në trafik është shumë e rëndë, raporton lajmi.net.

Madje aq të larta janë gjobat e parashikuara me këtë ligj, sa në disa raste ato tejkalojnë edhe Gjermaninë, kurse në shumë raste, bazuar në standardet e Kosovës dhe Gjermanisë, janë më të larta sesa në këtë të fundit.

Kështu, tejkalimi i shpejtësisë në zonat urbane në Kosovë nga 10 deri në 50 km/h, fillon me gjobën nga 20 euro e deri në 300-900 euro ndërkohë që në Gjermani është nga 15 e deri në 280-680 euro, raporton lajmi.net.

Për këtë, në Kosovë vozitësit i hiqen 5 pikë nga patentë shoferi kurse në Gjermani 2. Në Kosovë patentë shoferi mund t’i pezullohet vozitësit për 1 vit kurse në Gjermani nga 1-3 muaj.

Tejkalimi i shpejtësisë në zonat jo urbane në Kosovë prej 10-20 km/h e deri në 50km/h fillon nga 20 euro e mund të përfundojë nga 200-600 euro. Në Kosovë mund të hiqen 3 pikë, në Gjermani 2 kurse pezullimi i patentë shoferit në Kosovë është parashikuar të jetë 3 muaj e në Gjermani është nga 1-3 muaj, raporton lajmi.net.

Nëse një vozitës në Kosovë do të hyjë në semaforin e kuq, gjoba është 150 euro, kurse në Gjermani është 90 euro. 3 janë pikët që hiqen nga patentë shoferi në Kosovë kurse 1 është në Gjermani. E derisa në Gjermani nuk parashikohet fare pezullim i patentë shoferit për këtë shkelje, në Kosovë 3 muaj mund të mbetesh pa patentë shofer.

Vozitësit që kanë fëmijë në veturë e nuk kanë ulëse të tyre, mund të gjobitën me 100-300 euro, kurse në Gjermani gjoba për këtë është 60 euro. Në Gjermani për këtë mund t’i hiqet vozitësit 1 pikë e në Kosovë asnjë, por këtu mund të pezullohet patenta për 3-6 muaj ndërkohë që në Gjermani nuk parashikohet fare pezullimi, raporton lajmi.net.

Vozitësit që janë nën ndikim të alkoolit, në Gjermani mund të gjobitën nga 500-1500 euro kurse në Kosovë nga 100-900 euro. Në Gjermani mund t’i hiqen 2 pikë nga patentë shoferi kurse në Kosovë nga 1-3. E derisa atje vozitësi mund të dënohet edhe nga 1-3 muaj burg, në Kosovë dënimi është nga 6 muaj deri në 2 vjet burg.

Edhe të mos dhënia përparësi këmbësorëve, mund të gjobitet rëndë. Në Gjermani është 80 euro e heqje të 1 pike nga patentë shoferi, kurse  në Kosovë është 40 euro dhe nuk hiqet asnjë pikë.

Në këtë rast, as në Gjermani e as në Kosovë nuk parashikohet pezullimi i patentë shoferit, raporton lajmi.net.

Kushdo që në Kosovë e përdorë telefonin duke vozitur mund të dënohet me 40 euro derisa në  Gjermani është  60 euro.

Tashmë ai që nuk e ka të vendosur rripin e sigurisë në automjet, vozitës apo udhëtar, mund të gjobitet 40 euro derisa në Gjermani shuma është 30 euro.

Kushdo që në Kosovë nuk e mbanë distancën e nevojshme ndërmjet mjeteve mund të gjobitet me 40 euro kurse në Gjermani gjoba për këtë shkelje është 25 euro.

E ai që në Kosovë me automjet jep sinjalizim të gabuar, gjobitet me 40 euro kurse në Gjermani për të njëjtën shkelje, gjoba është 10 euro.