Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pasi që qeveria e tij ka dhënë shenja se ka hequr dorë nga vënia e reciprocitetit me Serbinë, e që ishte premtimi kryesor i fushatës së VV-së.
Me anë të një postimi në Facebook, Gjoshi ka akuzuar Kurtin se ka gënjyer, mashtruar e tradhtuar për reciprocitetin me Serbinë
“Ti Albin, nëse të ka mbetur pak ndërgjegje, sot duhet të dalësh para qytetarëve dhe t’iu tregosh se për kaq vite i ke gënjyer, mashtruar dhe tradhëtuar duke iu premtuar se me Serbinë do të vendosësh Reciprocitet”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ia ka kujtuar Kurtit kur kundërshtonte edhe SHBA-të për këtë masë, duke thënë se atë kohë edhe e përqeshte Shtëpinë e Bardhë.
Postimi i plotë i Gjoshit:
Dy fjalë për ty Albin, që gënjeve, mashtrove dhe tradhtove për Reciprocitetin me Serbinë!
Ti Albin, nëse të ka mbetur pak ndërgjegje, sot duhet të dalësh para qytetarëve dhe t’iu tregosh se për kaq vite i ke gënjyer, mashtruar dhe tradhëtuar duke iu premtuar se me Serbinë do të vendosësh Reciprocitet.
Për ty Albin, Reciprociteti ka qenë shtylla kryesore e marrëdhenieve me Serbinë. Me pak fjalë, ti u ke premtuar bujqve, prodhuesve, studentëve dhe përgjithësisht shqiptarëve se me Serbinë e din si ta zgjidhësh problemin – me Reciprocitet.
Ti Albin, nuk po del para qytetarëve dhe t’iu tregosh se i ke gënjyer, mashtruar dhe tradhtuar. Po fshihesh.
Ti Albin, më kot fshihesh prapa justifikimeve CEFTA, ç’CEFTA. Këto arsye kanë ekzistuar edhe për qeveritë e kaluara, por ti thoje se ju jeni të pazotë për të vendosur Reciprocitet me Serbinë ose çkado që të binte ndërmend.
Ti Albin, nuk ke dashur t’ia dish as për kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pikërisht për Reciprocitetin. Ti e injorove kërkesën e Shtëpisë së Bardhë. Në atë kohë ti e përqeshje këtë shtëpi të madhe për shqiptarët dhe botën, e ia ndërroje ngjyrën me tallje. Ti, paranojat tua i transmetoje në publik dhe ngjallje dyshime për Shtëpinë e Bardhë se gjoja aty po qëndrojnë me thika mbi hartën e Kosovës.
Ti Albin, që për kaq vite gënjeve dhe mashtrove votuesit e Vetëvendosjes duke u premtuar Reciprocitet me Serbinë, u dorëzove pa ta kërkuar askush.
Ti Albin, që për kaq vite gënjeve dhe mashtrove prodhuesit e Kosovës, u dorëzove dhe i le në baltë prodhuesit e vendit tonë.
Ti Albin, me premtimin për Reciprocitet me Serbinë ke shkuar te bujku, prodhuesi, te familja e dëshmorit. Gjithkund ke shkuar me këtë temë. Gjithkund e ke premtuar.
Por sot, ti Albin po fshihesh.
Albin, mjaftë u fshehe prapa derës.







































