Gjuriq kërkon që një serb të jetë kryeparlamentar i Kosovës

02.07.2017 11:01:04

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se takimi i dy presidentëve, Thaçit dhe Vuçiqit, të hënën në Bruksel, mund të sjell relaksim të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhim në zbatimin e asaj për çka veç janë arritur marrëveshjet.

“Ky do të jetë edhe një rast që të tregojmë nevojën dhe dëshirën tonë që ajo për të cilën jemi marrë vesh të realizohet, si dhe të dëshmojmë përkushtimin tonë se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen problemet”, ka thënë Gjuriq për Televizionin shtetëror serb.

Ai ka folur edhe lidhur me konstituimin e institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, duke thënë se nuk ka asnjë arsye që një serb të mos emërohet në njërën nga tri funksionet kryesore të Kosovës.

Sipas tij roli i serbëve në formimin e qeverisë nuk duhet të jetë “vetëm sa për dekor”.

Gjuriq ka marrë shembull zgjedhjen e një shqiptari kryeparlamentar të Maqedonisë.

“Nëse Presidenti i Parlamentit të Maqedonisë mund të jetë përfaqësues i komuniteteve pakicë, nuk ka asnjë arsye që një nga tre funksionet kryesore në krahinën tonë jugore, të mos jetë serb”, tha Gjuriq.

Takimi i Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel është konfirmuar nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-ë, Federica Mogherinit, ku theksohet se kjo bisedë bëhet pas takimeve dypalëshe gjatë Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt mbrëmë në Dubrovnik.

Ata do t’i këmbejnë pikëpamjet për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, po ashtu, për zhvillimet më të gjëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksohet në fund të një kumtese të shkurtër të Zyrës së Mogherinit.