Gjuriq, pas arrestimit në Kosovë: Derisa më godisnin, policët bënin edhe selfie

27.03.2018 13:12:34

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka folur për mediat në Presidencën e Serbisë, pas takimit të Presidentin Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Ata më hipën në një nga transportierët, më goditën, u përpoqën të më trembnin, më godisnin me pushkë në bark, e nxorën thikën dhe bëni selfie”, ka thënë ndër tjerash Gjuriq, shkruajnë mediat serbe.

“Këta nuk janë për mua policë, por banda terroriste”, është shprehur Gjuriq, duke iu referuar policëve, të cilët kryen arrestimin e tij për shkak se kishte hyrë në Kosovë pa leje.

Ai gjithashtu u është referuar pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si “falanga të armatosura”.

Gjuriq ka thënë se ka dhimbje, por se ndihet mirë.

Gjuriq u arrestua dje në një takim në veri të Mitrovicë më pas me prangat ai u transferua në Prishtinë, ku u mor në pyetje dhe pastaj u dëbua në Serbinë qendrore.

Sipas mediave serbe, ndihma mjekësore i është dhënë atij menjëherë në Kurshumli dhe pastaj në Beograd.

Kryesia e Listës Serbe mbrëmë miratoi një iniciativë për të lënë qeverinë në Prishtinë dhe presidenti i kësaj liste Goran Rakic tha sot se vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen në qeverinë e Kosovës do të bëhet pas konsultimeve me Vuçiqin.