Gjykata dënon ish kryebashkiakun e Vlorës

27.07.2017 16:29:24

Në Shqipëri Gjykata e Vlorës dënoi sot me 4 vjet burg ish kryebashkiakun e qytetit në një proces gjyqësor nisur për ndërtimin e një pallati pa leje

Prokuroria kishte kërkuar 9 vite burgim për Gjikën, të cilin e akuzonte për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentash”, “ndërtim pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Por Gjykata e konsideroi atë fajtor vetëm për dy prej akuzave, atë për “falsifikim dokumentash”, dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa dënimin e konvertoi me 2 vjet me shërbimin e provës.

Hetimi ndaj ish kryebashkiakut nisi në vitin 2013, ndërsa dy vjet më pas ai u arrestua, për t’u hetuar më pas në gjendje të lirë. Ai u akuzua se së bashku me ish shefen e urbanistikës Doriana Sulaj kishin falsifikuar dokumentet e Këshillit të Territorit për lejen e ndërtimit të pallatit nga ana e një kompanie private. Sula u cilësua e pafajshme nga gjykata, ndërsa për dy pronarët e kompanisë së ndërtimit u dhanë dënime me 3 dhe 1 vit me shërbimin e provës.