Gjykata lë në burg 5 nga 22 punëtorët e magazinës së drogës në Rrëshen

06.11.2016 17:01:40

Gjysma e punëtorëve, që u kapën në magazinën e drogës në Mirditë kanë dalë para gjykatës së Lezhës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa 3 nga 11 të ndaluarit janë lënë në burg, ndërsa 8 të tjerët me detyrim paraqitje. Të 22 personat që u kapën në magazinë, mësohet se i kanë mëshuar faktit se janë thjesht punëtorë të fabrikës dhe se janë punësuar për të marrë çdo ditë shumën prej 20 mijë lekesh të vjetra. Por pavarësisht deklaratave, gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit për të lenë në arrest me burg 5 prej tyre.

Nuk është ende e qartë se cila ka qenë lidhja personave që nuk banorë të zonës së Mirditës, pronarit të magazinës dhe lëndës narkotike, por organi i akuzës thotë se udhëtimi i tyre nuk ka qenë i rastësishëm, dhe ata nuk po bashkëpunojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal.

Një ditë më parë në burg mbeten dhe Erald Zaimi 24-vjeç nga Lushnja dhe Gjet Ndaj 23-vjeç nga Fushë Mamurrasi i Kurbinit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditur emrat e 3 personave të tjerë në arrest me burg. 22 të ndaluarit u arrestuan në flagrancë teksa punonin në magazine e drogës në dalje të qytetit të Rrëshenit, ku u sekuestruan 4.2 ton drogë në proces tharje.