Gjykata: Qeveria dhe MSH-ja shkelën Kushtetutën dhe arrestuan qytetarë pa bazë ligjore

03.05.2020 20:08:28

Gjykatat Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një ditë më parë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, në dy raste e kanë shkelur Kushtetutën kur kanë vendosur masa të kufizimit të lirisë së lëvizjes për qytetarët, pa marrë vendim Kuvendi dhe për rrjedhojë të gjitha kufizimet në lirinë e lëvizjes së qytetarëve kanë qenë antikushtuese duke përfshirë edhe dënimet dhe arrestimet që janë bërë duke u bazuar në këto vendime.

“Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht ‘ndërhyrjet’ në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë ‘të përcaktuara në ligj’…rrjedhimisht vendimi është jokushtetues”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka trajtuar vetëm ankesën e një grupi deputetësh për komunën e Prizrenit, por Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, kanë vendosur masat e njëjta, karantinimin e të gjitha komunave të Kosovës, pa një vendim të Kuvendit dhe për rrjedhojë të gjitha këto vendime janë shpallur antikushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka qartësuar se sipas Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, karantinimi mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse.

Në aktgjykimin e mëparshëm gjykata i kishte dhënë afat qeverisë dhe Kuvendit deri më 14 prill, që të shmanget shkelja e Kushtetutës për kufizimin e lirisë së lëvizjes, por Qeveria në detyrë nuk ka mundur të marrë një vendim të tillë për shkak se ka humbur shumicën në Kuvend dhe për rrjedhojë ka shkelur Kushtetutën për herë të dytë.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi nga të gjitha institucionet dhe sistemi i drejtësisë dhe për rrjedhojë të gjithë personat që janë ndaluar, arrestuar, ose dënuar për shkelje të rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë, kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nga shteti, pasi që ndalimi, arrestimi dhe dënimi i tyre është bërë në mënyrë të paligjshme.