Gjykata Speciale cak udhëheqësit e UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkohshme

07.01.2017 14:59:26

Prokurori që po merret me hetimet lidhur me krimet e kryera gjatë dhe pas luftës do t’i ketë në cak udhëheqësit politikë e ushtarak të pasluftës. Kjo për shkak se Qeveria e Përkohshme kishte kontroll mbi Shtetin. Ky është paralajmërimi i Enver Hasanit, njohës i të drejtës ndërkombëtare.

“Këto nuk flitet vetëm për krimet e kohës së luftës, por edhe pas 1999, kur ka pasur një Qeveri të përkohshme, e cila ka pasur strukturë dhe kontroll. Këtu është një dallim se është kohë paqeje”, ka thënë Hasani, në Rubikon të KTV-së.

Ai ka thënë se më së shumti Gjykata Speciale do të merret me kohën e pasluftës për shkak se në kohën e luftës s’kishte hierarki të qartë as në udhëheqjen e UÇK’së. Ka marrë shembullin nga gjykimi i Limajt në Hagë ku ishte thënë se ai s’ka pasur përgjegjësi komanduese pasi UÇK s’kishte strukturim të qartë në udhëheqje.

“Prcedenti Limaj i Hagës vlen sepse përgjegjësia e UÇK-së nuk mund të jetë komanduese”, ka thënë Hasani, teksa ka folur për krimet e kryera pas luftës.

“Nuk çuditëm edhe nëse arrestohen ata”, ka thënë Hasani, kur është pyetur për mundësinë e arrestimit të Thaçit si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.