Gjyqtari i EULEX-it që dha dorëheqje: “EULEX është një mision politik”

16.11.2017 14:56:55

Një skandal i ri ka plasur në Misionin Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Është Malcolm Simmons, gjyqtari që ka dhënë dorëheqje nga misioni i BE’së i instaluar në Kosovë duke hedhur akuza të rënda për korrupsion bremda EULEX’it. Ai ka thënë se EULEX ka pasur për qëllim të rrëzojë një pjesë të skenës politike në Kosovë përfshirë Fatmir Limajn tani Zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj.

Në arsyet që ka dhënë për gazetën “Le Monde”, Simmons ka thënë se EULEX është një mision politik.

Kur ka folur për dorëheqjen e tij, Simmons e ka përmendur edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj.

Në intervistën e  publikuar në Le Monde, ndër të tjera thuhet se EULEX  donte ta shkatërronte një pjesë të klasës politike kosovare, siç ishte Fatmir Limaj (Ish komandanti i UÇK-së).

Tutje ai ka vazhduar edhe me akuza të tjera ndaj misionit, duke e cilësuar tërësisht politik.

“EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë,” ka thënë Simmons.

Ai ka qenë gjyqtar që nga fillimi i misionit më 2008 derisa nga viti 2014 ka kryesuar asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it.

Në anën tjetër, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësuese së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, është prononcuar rreth akuzave të gjyqtarit të EULEX që është larguar nga ky mision duke bërë akuza për korrupsion.

Kocijançiq u ka thënë mediave në Bruksel Bashimi Europian e edhe EULEX kanë zero tolerancë për akuzat dhe për sjellje të pahijshme të të gjithë anëtarëve të misionit.

“Akuzat janë hetuar nga një gjyqtar i pavarur dhe disa nga të gjeturat janë pranuar në bordin disiplinues dhe dua të theksoj se të gjitha procedurat e parapara në kod janë ndjekur me përpikëri. Nuk mund të flas enkas për ndonjë akuzë dhe për hetimet që po vazhdojnë”, ka thënë Kocijançiq.