Gruevski nuk jep asnjë detaj për negociatat (Video)

26.01.2017 20:04:13

Tre ditë para përfundimit të mandatit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë së re, partitë politike, të paktën zyrtarisht nuk njoftojnë për ndonjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.

Përfaqësues të OBRM-PDUKM-së disa ditë me radhë japin të njëjtin qëndrim, se kreu i tyre ka autorizim të plotë për të vazhduar negociatat, por nuk japin detaje për takimet dhe pikat rreth të cilave po zhvillohen bisedimet.

Ndërkohë, LSDM-ja as nuk demanton dhe as nuk konfirmon zërat e fundit se Ahmeti ka vendosur komunikim edhe me Zaevin dhe se gjatë këtyre ditëve pritet një takim i ri mes tyre. Nënkryetari i kësaj parti Damjan Mançevski pret që mandati për formimin e Qeverisë të kalojë në duar të kësaj partie nëse Gruevski nuk arrinë të sigurojë shumicën e nevojshme. Sa i takon kërkesave të partive shqiptare, Mançevski thotë se ata janë pjesërisht kompatibile me platformën e LSDM-së kurse e përbashkët është zbatimi i një koncepti të ri për qytetarët.

Nga partia e Ahmetit, zyrtarisht njoftojnë se edhe për ditën e sotme, nuk janë paraparë aktivitete apo negociata rreth qeverisë së re. Nënkryetari i kësaj partie Nevzat Bejta, ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër një koalicionimi me VMRO-DPMNE-në. Një qëndrim të tillë, flitet se ndajnë edhe nënkryetarët tjerë të partisë Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Sadulla Duraku kurse një pjesë e kryesisë së partisë, janë shprehur për respektimin e parimit të pashkruar “ftuesi me fituesin”.

Çështja për postet ministrore dhe për kreun e Kuvendit, nuk është përmendur aspak nga partitë. Për formimin e qeverisë së re, mandatari Gruevski deri të dielën përvec votave të nevojshme në Kuvend duhet të përgatisë programin e plotë për katër vitet e ardhshme si dhe përbërjen e kabinetit të ri.

Pavarësisht interesit të madh rreth negociatave për formimin e qeverisë së re, qytetarët mbetet të përjashtuar nga ky proces dhe nuk dijnë kush do të drejtojë qeverinë në katër vitet e ardhshme.