Gruevski pas takimit me Yee: Kryetari i Kuvendit është zgjedhur në mënyrë joligjore

01.05.2017 18:45:56

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski së bashku me disa funksionarë tjerë të partisë së tij, realizoi takim me zv.ndihmësin e sekretarit amerikan, Hoyt Brian Yee. Në kumtesën e OBRM-PDUKM-së pas takimit theksojnë se ata nuk mbështesin dhunën fizike dhe në të njëjtën kohë dënojnë dhunën politike të LSDM-së.

“OBRM-PDUKM-ja nuk mbështet dhunën fizike, por në të njëjtën kohë dënojmë edhe dhunën politike që e bën LSDM-ja mbi institucionet, rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën. Për OBRM-PDUKM-në dhuna politike e LSDM-së mbi institucionet shkaktoi zemërim, ndërsa provokim shtesë ishte edhe intonimi i himnit shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë”, theksojnë nga OBRM-PDUKM pas takimit të Gruevskit me Yee.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se Gruevski gjatë takimit ka përsëritur qëndrimin se zgjidhja e krizës politike është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare së bashku me ato lokale.