Guvernatori Mehmeti takoi ekipin e Bankës Botërore, bisedojnë për sfidat në zhvillimin ekonomik

05.03.2020 11:25:02

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti takoi Drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë e Maqedoni të Veriut – Marco Mantovanellin.

Temë diskutimi me ekipin e Bankës Botërore ishte Memorandumi Ekonomik i Vendit (Country Economic Memorandum) si dhe perspektiva dhe sfidat në të ardhmen lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektiven e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë, në veçanti.

Gjithashtu, njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të sektorit financiar në Kosovë, dhe potencoi rendësin e këtij sektori në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti falënderoi Bankën Botërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Nga ana tjetër, drejtori i BB-së për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Marco Mantovanelli tha se institucioni që e drejton do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar.