Hafizi-Ramës: Dija ime dhe kanabisi yt të çojnë në fluturim, por ‘përsheshi’ yt të rrëzon në tokë

20.10.2016 14:46:01

Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Mimoza Hafizi i është përgjigjur sot nga foltorja e Kuvendit deklaratave të kryeministrit Edi Rama në adresë të saj gjatë një emisioni televiziv, ku ky i fundit i thoshte ‘le të hajë përshesh tek partia e Blushit’.

Duke iu referuar kësaj ironie, Hafizi iu drejtua kryeministrit duke i thënë se si njëri i librave ajo kishte në qendër të jetës së saj dijen, që kryeministri e quan përshesh, kurse ky i fundit, sipas Hafizit, nuk udhëhiqet nga dija por kanabisi.

“Dua t’i them kryeministri që unë jam njëri i librave, që u hapin mendjen studentëve të shkencës. Ju këtë e përçmoni, ju nuk e doni dijeni. Ndaj Shqipëria po rend drejt kanabisit. Dija ime dhe kanabisi juaj kanë diçka të përbashkëta; të çojnë në fluturim.

Por dija nuk të rrëzon, kurse kanabisi, përsheshi yt të përplas në tokë. Ju e përbuzni shkencën, ndryshe nuk do të lejonit që plehrat e huaja të agresonin vendin dhe natyrën tonë. Unë dua të ndjek rrugën e dijes që sjell shtet funksional, shoqëri në harmoni. Ju vazhdoni ku jeni nisur, rrugë që nuk ka asnjë lidhje me atë që kishit premtuar”, tha Hafizi.