Hahn: Integrimi ekonomik rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE

26.08.2017 14:18:44

Në takimin joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që mbahet sot në Durrës, komisari evropian për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Johannes Hahn tha se krijimi i zonës ekonomike rajonale e cila do të nxisë rritje ekonomike dhe do të krijojë vende të reja pune, duhet të jetë prioritet i shteteve të rajonit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Hahn theksoi se koncepti i integrimit ekonomik rajonal nuk është dhe nuk duhet të shihet si alternativë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por si një plotësim i dobishëm ekonomik në interes të të gjithëve. Sipas Hahn, krijimi i tregut rajonal do të hapë mundësi për 20 milionë njerëz dhe do të forcojë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Komisioni Evropian para takimit të kryeministrave në Durrës kumtoi se pret nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të punojë me përkushtim në zbatimin e detyrimeve të marra nga Samiti i BE – Ballkan Perëndimor, të mbajtur në korrik dhe veçanërisht për Planin veprimor për thellim të integrimit ekonomik rajonal.