Haki Abazi : Marrëveshja për ndarjen e Mitrovicës është bërë në Rambuje nga Hashim Thaçi

15.12.2016 22:32:51

Haki Abazi nga Rockefeller Brothers ka thënë në emisionin Rrokum Roll se muri i ndërtuar në veri është “shuplakë” për politikën kosovare.

Ai i ka quajtur të panevojshme deklaratat e liderëve kosovarë për murin. Abazi ka thënë se ndarja e Mitrovicës është projektuar qysh në marrëveshjen e Rambujesë dhe se nuk ka qenë e rastësishme që ajo marrëveshje është mbajtur në Francë, duke e lidhur këtë me trupat franceze të KFOR-it që kanë pasur detyrë ta ruajnë Urën e Ibrit.

“Serbia ka luajtur lojën e mençur diplomatike që është “blerja e kohës” dhe ka zhagitë proceset”, thotë Abazi, duke shtuar se blerja në kohë në diplomaci gjithmonë jep rezultate.

Ai ka thënë se Serbisë ju ka ofruar një përparësi nga naiviteti i Kosovës në procesin e dialogut në Bruksel. Abazi në mes tjerash thekson se, diversiteti religjioz që ka Ballkani, është territor i pëlleshëm për konfliktet të reja.

Ai ka thënë se në Kosovë ka figura që më deklaratat e ndryshme krijojnë situata të panevojshme. Abazi ka përmendur rastin e kryetarit të Bashkësisë Islame, i cili në konferenca ndërkombëtare deklaron se Erdogani është patriot, ndërsa Gulen- terrorist.

Siç thotë ai, deklaratat e ministrit të brendshëm apo të ish presidentes, se në Kosovë ka terrorizëm.

“Djemtë që kanë shkuar në Siri, janë rezultat i mungesës së shpresës dhe jetesës në Kosovë”, thotë Abazi.

Abazi ka komentuar edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, duke thënë se është i kënaqur me atë çfarë kanë treguar qytetarët e Drenasit në këto zgjedhje.

“Rezultati i zgjedhjeve në Drenas ka ndikuar që mos të flitet më për zgjedhje të përgjithshme në Kosovë, sepse po të fitonte PDK bindshëm, atëherë kishim pas situatë tjetër”, tha Abazi.