Haki Rugova: Të anulohen votat me postë dhe manipuluesit para drejtësisë

30.11.2017 00:45:15

Kryetari i komunës së Istogut, njëherësh kryetar aktual i kësaj komune, z. Haki Rugova, para pak minutash ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin se duhet të anulohen tërësisht votat me postë dhr të mos maltretohen votuesit e Istogut edhe një herë me votime.

Ky është reagimi i plotë i z. Rugova:

Pasi përmend një rrjet të organizuar kriminal që ka manipuluar tërësisht këtë proces, z. Rugova kërkon nga Prokuroria që të hetojë votat e manipuluara nga Mali i Zi, Serbia, Sllovenia e Austria, kurse personat përgjegjës të vihen para drejtësisë.

Të nderuar qytetarë të Istogut,

Lidhja Demokratike në Istog është fituese e zgjedhjeve të raundit të pare, si dhe atyre të raundit të balotazhit. Këto zgjedhje janë konsideruar të rregullta, nuk ka pasur asnjë ankesë dhe nuk janë kontestuar nga asnjëra palë.

Vlerësojmë se është e padrejt që votuesit e Istogut të maltretohen edhe njëherë në votime, si rezultat i manipulimit të votave më postë. Ne kemi berë ankesë për anulimin e tërësishëm te votave me postë sepse një rrejt i organizuar kriminal ka manipuluar tërësisht procesin e këtij votimi.

Sa i përket votave të manipuluara, të cilat vijnë nga Mali i Zi, Serbia, Austria dhe Sllovenia, të cilat u konstatuan edhe nga PZAP-ja, ne i bejme thirrje Prokurorisë së Shtetit, që ti hetojë si të tilla dhe ti sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.

Ne do të bejmë të gjitha përpjekjet ligjore që dicka e tillë të mos pranohet dhe do të mbrojmë besimin e qytetarëve tanë. Më duhet të theksoj se Lidhja Demokratike asnjëherë nuk i ka kontestuar vendimet e institucioneve shteterore, kur ato janë marrë mbi bazën e fakteve.
H.R