Halimi i LDK-së u përgjigjet akuzave të Shpend Ahmetit: Nuk nënshkruaj vendime të kundërligjshme

14.11.2017 16:32:35

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi, nga radhët e LDK-së, u është kundërpërgjigjur akuzave të Shpend Ahmetit. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se fajtori për mosnënshkrimin e Planit Rregullativ për lagjen e Kodrës së Trimave ishte Halim Halimi.

Por ky i fundit, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook duke thënë se Plani, të cilin nuk e ka nënshkruar, është vlerësuar si i kundërligjshëm nga MMPH-ja.

Postimi i tij i plotë:

Shpend Ahmeti sapo më akuzoi mua që unë jam fajtori për mos nënshkrimin e Planit Rregullativ të lagjes Kodra e Trimave.

Mos manipuloni me qytetarët e Lagjes Kodra e Trimave ngase Vendimi i KK Prishtinë Nr.01-350/05-0118238/17 dt:19.05.2017 për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm , Kodra e Trimave , 2017-2025 , sipas shkresës së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i dt:12.06.2017 është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Pos tjerash Vendimi është në kundërshtim me nenin 17 paragrafi 7 të Ligjit nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor meqenëse përveq në Planin zhvillimor Komunal duhet të jetë i bazuar edhe në Hartën Zonale Komunale.

Komuna e Prishtinës edhe sot e kësaj dite nuk ka Hartë Zonale Komunale siç parashihet me ligj.

Prandaj, unë si Kryesues i Kuvendit nuk nënshkruaj Vendime të cilat vlerësohen si të kundërligjshme nga MMPH.