Hapja e negociatave, Balla: Pesë deputetë të PD-së votuan kundër

08.11.2016 18:57:54

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, akuzon pesë deputetët demokratë, Bumçi, Islami, Bylykbashi, Halimi dhe Pollo se kanë votuar kundër rekomandimit për hapjen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në një status në profilin e tij në “facebook”, deputeti socialist, e cilëson këtë një skandal pa fund të opozitës shqiptare.

“Skandali i PD shkon deri në fund. Bumçi, Islami, Bylykbashi, Halimi dhe Pollo votojnë kundër rekomandimit për hapjen e negociatave. Ja teksti që mori votat pro të deputetëve të mazhorancës, eurodeputetëve të majtë, të djathtë dhe të gjelbërt dhe të Majlinda Bregut:

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocijimit BE-Shqipëri i “bën thirrje Komisionit Europian dhe Këshillit për hapjen e negociatave dhe Shqipërisë të sigurojë më shumë progres të qëndrueshëm në lidhje me implementimin e 5 prioriteteve, që duhen për hapjen e negociatave”.

Faleminderit miqve të Shqipërisë në Parlamentin Europian!

balla-1Opozita nuk mundi ta prishë lajmin e mirë që Shqipëria jonë pret nesër nga Komisioni Europian, pra rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Megjithëse se ushtari Aldo bëri edhe sot kamikazin. Keqardhje”, – shkruan balla.