Hapja graduale e Kosovës nga 4 maji, kështu do të rrjedhin 3 fazat e parashikuara

30.04.2020 16:12:00

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza.

Plani i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë thotë se të gjithë hapat e planifikuar të kthimit në normalitet kushtëzohen nga përmirësimi i gjendjes epidemiologjike përcaktuar nga MSH dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj ndarje, në fazën e parë e cila fillon më 4 maj parashihet të zgjatet orari i lëvizjes nga 1 orë e gjysë në ditë në 3 orë – sipas numërit të parafundit të letërnjoftimit e ndarë në dy pjesë nga 90 minuta para dhe pas dite.

Në fazën e parë pritet të hapen ndërtimtaria, patundshmëria, tregtia e automjeteve, tregtia me pakicë e zyrat e konsulencës.

Në fazën e dytë, që fillon më 18 maj nëse situata epidemiologjike në Kosovë është e mirë parashihet riorganizimi i qarkullimit të qytetarëve. Gjithashtu, pritet të lëshohet në funksion tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, flokëtarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbërt, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban, qendrat e thirrjeve dhe hapja e muzeve e galerive.

Në fazën e tretë e cila fillon më 1 qershor pritet që përsëri bazuar në situatën epidemiologjike të riorganizohet lëvizja e qytetarëve, ndërsa gjithashtu pritet të lirohet transporti urban dhe ndërurban në përgjithësi, taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në arsimin e lartë, hapja e kinemave dhe teatrove, testi i arritshmërisë dhe i maturës dhe hapja selektive e disa sporteve.